Në dy operacione policore në Malishevë arrestohen shtatë persona, konfiskohen edhe armë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Malishevë, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative të shtënave nëpër ahengje/dasma dhe realizimit të objektivave policore për krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, ka siguruar informata në rrugë operative se disa persona të dyshuar nëpër dasma/ahengje të ndryshme kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë ekspozuar armë të ndryshme në kundërshtim me ligjet aktuale në Republikën e Kosovës, gjë që paraqet shqetësim për banorët.
“Me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti tjetër dhe largimin e armëve që janë në posedim të paligjshëm, Stacioni Policor në Malishevë ka përpiluar një plan operativ dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore-Gjakovë ka siguruar urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Më 09.08.2019 dhe më 20.08.2019 Stacioni Policor në Malishevë, mbështetur edhe nga Njësia për Reagim të Shpejtë, ka kryer kontroll (bastisje) të objekteve të banimit dhe objekteve tjera përcjellëse ne gjashtë Lokacione. Gjatë dy operacioneve policore në fjalë janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe Përdorim i armës apo mjetit te rrezikshëm”, është thënë në njoftimin e policisë.
Lidhur me veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit, pas përfundimit të procedurave policore, personat e arrestuar janë liruar në procedurë të rregullt.
/Epoka e re/