Në emër të tradhtisë, na tregoni çka është shteti
Baton Haxhiu
Albini do ta nënshkruajë Asociacionin, por jo si tradhtar. Ai do ta bëjë atë në emër të BE-së dhe në emër të paqes. Në emër të liberalizimit të vizave dhe pa njohje.
Kështu, afërsisht, do të duket fjalia në një qëndrim publik pas aktit të nënshkrimit.
Mund të thotë edhe se e ‘shpëtuam Kosovën nga ndarja’. Sa për të arsyetuar aktin.
‘Kaq kishim të bënim’, sepse të tjerët që nënshkruan më herët, nuk lanë mundësi tjetër.
Bota do të ishte e tmerrshme pa mua, kishte shkruar Sartri në një nga veprat e tij. Kështu mendon edhe për veten Kryeministri i Kosovës. Jo në formën egocentrike të mendimit, por realisht historia e Kosovës duhet të zhbëhet, ose ka qenë gati të zhbëhet që ai të krijojë një histori tjetër nga ajo që është bërë deri në ardhjen tij në pushtet.
Tek ky konstatim mos mendoni se ka diçka egocentrike nga ajo që Kurti mendon. Vërtet, ai konsideron që bota e tij e të menduarit për vete është e vërtetë. Dhe historia që bën ai është historia e Kosovës. Para tij s’ka asgjë, përveç heronjtë, të zhdukurit dhe të vdekurit e luftës.
Por, shumë tjerë kanë menduar njëlloj me Kurtin në rrethana të ngjashme historike kur është vendosur për të ardhmen e popujve të tyre. Kanë vrarë në emër të tradhtisë.
Nënshkruesit e deklaratës së Republikës së Irlandës u pushkatuan të gjithë. Giffordi ishte lutur që mos ta pushkatonin, por lutjet e tij kishin mbetur të varura në plumbin që po e godiste për tradhti.
Përkundër vdekjes që po i vinte nga linçuesit publikë të pashpirt, ai po thërriste se nënshkruesit e Republikës së Irlandës ishin të pamposhtur.
Dy liderë nga Kosova, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, të ngjashëm si Giffordi me shokë, kanë përjetuar të njëjtin fat, burgun si vrasje dhe linçim publik si plumbin që po iu vinte.
Të dy kanë thënë zëshëm në momentin kur po shkonin në burg se Kosova me nënshkrim s’kishte humbur asgjë, por kishte fituar pavarësinë.
Ata që kishin shkrepur plumbin mbi Giffordin me shok, të gjithë nënshkruesve të pavarësisë së Republikës së Irlandës, kishin përfituar privilegjet e “tradhtisë”.
Ata, Giffordi me shok, sot, janë të shpallur hero, sepse Republika e Irlandës po jeton kohën më të mirë politike të saj. Kurse vdekja e tyre po shënjonte turpin historik të logjikës vetëvendosjane për vrasjen në emër të tradhtisë.
Ata që kishin vrarë ishin të shtyrë nga britanikët që akti i tyre të mos merrte epitetin e madhështisë së shtetit që po krijonin, por në histori të shkonin si tradhtarë. Nuk po them që VV ishte shtyrë nga Serbia dhe njerëzit e tyre, por ishte e habitshme që ata të ishin të njëjtë në veprime dhe ta kuptonin politikën si dëshirë e njëjtë me qëllime të kundërta.
Të jesh hero brenda vdekjes është një moment hyjnor, por të përjetosh lirinë dhe të tradhtosh atë që ke premtuar, është ndjenjë e fajësisë së përjetshme. Është diçka si jeta politike e Albinit dhe Vjosës që “vranë” dhe linçuan liderët që formuan shtetin e Kosovës.
Historia e dialogut Kosove-Serbi, një ditë, do merr fund. Por Çfarë epiteti do t’i jap koha Albin Kurtit dhe çfarë ai personalisht do t’i jep vetvetes, Liburnit e Glaukut dhe rrugës edhe Vjosës, pasi ta ketë nënshkruar asociacionin?
Fjala tradhti, si duket, do të shënjohet, si epitaf, në gurin e tij politik. Jo me fjalorin dhe arsyen e atyre që Giffordi kishte bërë dhe nënshkruar për Republikën e Irlandës, por me mllefin, padijen, axhamillëkun e atyre që një akt sublim e kishin cilësuar si tradhti.
Në asnjë mënyrë, askush, nga ne që e shohim nga jashtë problemin e Kosovës dhe përjetojmë politikëbërjen e Albinit me shokë, veprimet politike nuk do duhej t’i cilësojmë me këtë epitet. Epitetin e Tradhtisë. Përkundrazi!
Meqë jetojmë në shekullin tjetër dhe kemi 100 vite në mes të dy ngjarjeve te ndodhura, Në Republikën e Irlandës dhe Republikën e Kosovës, kemi mësuar që është më e ndërgjegjshme të falim padijen edhe kur ka politikë antihistorike si ajo e Albinit dhe Vjosës, kurse tradhtinë që po vjen ta konsiderojmë si akt fëmijërie të një kaste politike që e do pushtetin me të gjitha gabimet dhe mungesën e ndërgjegjes brenda veprimeve që bëjnë.
Natyrisht, nuk duhet të gjykojmë njerëzit politik mbi dëshirat dhe mbi gënjeshtrat që prodhojnë, por mbi mundësitë që janë dhe kanë krijuar ata në një situatë të veçantë për popullin e vet. Kjo i lehtëson ata, sepse, duke parë fuqinë politike të vendit ku jetojmë dhe atyre që vendosin për ne, i falim nëse kërkojnë falje për atë që kanë bërë dhe nënshkruajnë për atë që kanë kundërshtuar.
Mbi logjikën politike, veprimet dhe diskursi i Albin Kurtit dhe njerëzve të tij përreth, të bërë për 15 vite rresht, kryeministri i Kosovës i ka hap rrugë vetes që të cilësohet i tillë.
Pra, tradhtar!
Fjala tradhti, i paaftë, shërbëtor, përulës, janë epitete që kjo gjeneratë, e kryesuar nga ai, ka përdorë gjithë kohës. Për të linçuar dhe për ta bërë njeriun politik që të ketë frikë për atë që bën për popullin e tij.
Albin Kurti do nënshkruajë dhe nuk do ta quajmë tradhtar. Përkundrazi. Mund ta fitojë edhe Nobelin me Vuçiç-in bashkë. Edhe kjo është e mundur. Por, ai do të jetojë në jetën e tij si njeri pa ndërgjegje dhe pa shije e trashëgimi politike.
Ëndrra e Albinit kryengritës, e pjesës së parë të jetës së njeriut që jetonte për veten, në histori do të kthehet në makthin më të madh të Albinit kryeministër, si pjesë e dytë e jetës së një njeriu që të qenurit pjesë e historisë e ka dhimbje.
Pra, njeriu që gjithë pjesën e parë të jetës ia kushtoi stisjes së historisë sipas figurës së tij, në pjesën e dytë të saj do të mundohet pasuksesshëm ta shkarravisë autoportretin që në fund të jetës urren.
Ai nuk do te jetë kurrë dhe asnjëherë, si Giffordi, as edhe si Hashimi e Kadriu, si hero, ata që bën Republikën e Irlandës dhe Republikën e Kosovës.
P.S: Fjalën tradhti, s’e kam përdorur asnjëherë në shkrimet e mia. Për asnjë njeri. Edhe pse në jetën time kam parë veprime jo të pakta të njerëzve që i shkojnë shumë sqarimit të kësaj fjale në fjalorin enciklopedik.
Nuk e kam përdorë, sepse është e rëndë ta thuash një gjë kur nuk e di se cila është e vërteta e asaj që të tjerët përshkruajnë për atë që bëjnë në një moment politik. Ndryshe si do ta quanim Giffordin dhe nënshkrimin e tij, sikur mos të ekzistonte e ardhmja dhe e vërteta e historisë së Republikës së Irlandës.