Në “Etno fest” sot dhe nesër lexohen fragmente dramash
Organizuar nga asociacioni “Tana Art”, e drejtoreshës ekzekutive Iliriana Arifi, sot në fshatin Kukaj, në kuadër të aktiviteteve të Festivalit “Etno fest”, me fillim nga ora 16.30 deri në 17.30 janë bërë lexime të fragmenteve të dy dramave të autorëve shqiptarë, “Sekretet e urës” e Sadete Beqirit dhe “Lufta e gruas” e Ibush Arifit, të cilat drama i ka përzgjedhur për lexim skenik, pas thirrjes publike të asociacionit “Tana Art” në muajin e kaluar, juria e përbërë nga Agron Shala, dramaturg, kritik arti; Berat Dakaj, dramaturg, kritik teatri dhe Adil Olluri, studiues letërsie, prozator.
Për autorët e këtyre dy dramave juria ka dhënë edhe mirënjohje për pjesëmarrje.
Ndërkaq nesër (e premte), po në “Etno fest”, me fillim nga ora 16.00 deri në 17.00, do të lexohen fragmente nga drama “Vetëkryqëzimi” e autorit Ragip Sylaj, përzgjedhur për skenë nga juria ne shenjë nderimi dhe kujtimi me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Sylajt. Kësaj drame i është ndarë çmimi simbolik “Kristë Berisha”, i cili mban emrin e njërit prej dramaturgëve dhe artistëve më të spikatur të artit skenik shqiptar në Kosovë.