Në Evropë nuk duhet folur më për shqiptarët me gjuhën e Serbisë (7)
Shkruan: Kudusi Lama
Evropa mori mbi vete barrën që të përfaqësohet me një raport politik për shqiptarët, si raport i Dick Martyt. Ky është një tregues i qartë se atje po vazhdon akoma të flitet për shqiptarët me gjuhën e Serbisë. Kjo nuk është e moralshme, por ja që është e vërtetë.
Ne jemi mësuar të na trajtojnë keq, ndaj nuk na bën shumë përshtypje. Ashtu sikurse jemi mësuar gjithnjë të kemi disa prej tanëve që ua krehin bishtin atyre që na shajnë e akuzojnë. Por na vjen keq, sepse deri sot Evropa nuk ka parë asnjë të keqe prej shqiptarëve, ndaj edhe duket befasuese kjo gjuhë e helmët që vjen prej Evrope, me synime si këto ku kemi arritur.
Në jetën kombëtare shqiptare kemi një veprimtari miqësore me Evropën dhe me gjithë shtetet e saj e kombet të marra veç e veç. Konflikti ynë qëndron vetëm me ata që na kanë përvetësuar e tjetërsuar trojet tona, të cilat nuk mund dhe nuk do të mund kurrë të pranojmë të na mbeten të kolonizuara. Në gjithë historinë tonë, u kemi bërë mjaft nder të gjitha vendeve evropiane. Ashtu sikurse edhe nuk kemi pasur mundësi e fuqi t’u bëjmë nder, por me garanci asnjë të keqe nuk u kemi bërë.
Prandaj edhe ndiejmë dhembje kur shikojmë e dëgjojmë të instalohet gjuha e Serbisë në gojën e institucioneve të Evropës. Jemi mësuar me shumë raporte që na kanë persekutuar në emër të Evropës. Por të bëhet një raport kundër shqiptarëve të cilët ishin bashkëluftëtarë të Evropës kundër krimit. Ose më saktë të bëhet një akuzë kaq e rëndë ndaj atyre që vetë Evropa zgjodhi të bëhet bashkëluftëtare e tyre në luftën kundër të keqes, krimit dhe mesjetarizmit. Kjo duke e pa arsyetuar. E pikërisht kjo Evropë, tani na del se paska njohur një ushtri kriminale që drejtohej nga disa kriminelë e kanibalë, që paskan punuar për të grabitur organet jetësore të serbëve, se nuk paskan pasur ndonjë synim tjetër në luftën e tyre. Pra, kjo Evropë që e ndërroi shtratin njëherë në vitin 1999 dhe u bë pjesë e vendosjes së drejtësisë për shqiptarët, tani po kupton se nuk paska vepruar mirë. Evropa po kthehet kështu në shtratin e vjetër të saj, atë të përbuzjes dhe denigrimit të shqiptarëve, shtrat i njohur ky për në dhe për të. Por që na vjen keq, vetëm pse akoma kjo Evropë ka shumë dëshirë të na sakrifikojë për interesat e Serbisë? A nuk është kënaqur akoma? Deri kur do të vazhdojë kështu?
Dick Marty, diplomati zviceran i njohur si politikani kundër pavarësisë për Kosovën, merr edhe një herë penën të shkruajë çfarë i thonë për shqiptarët, duke u munduar t’i paraqesë ata si të keqen më të madhe të Evropës. Unë jam i sigurt se ai e di mirë atë thënien serbe “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, sepse pikërisht këtë thotë edhe vetë vetëm se në një formë më të sofistikuar.
Janë raporte të tilla, të cilët mundësojnë që edhe shkrimtarë të njohur e me reputacion si Roberto Saviano, autori i librit “Kamorra”, në një bisedë në televizionin “Topcenell”, me gazetaren Rudina Xhunga, në emisionin “Shqip”, diku në pranverë të vitit 2011, u dëgjua të thotë se “edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ju e respektoni, nuk është gjë tjetër veçse një organizatë mafioze”. Të kesh fuqi të thuash fjalën dhe të flasësh kështu pa përgjegjësi për t’i fyer të tjerët, nuk më duket gjë e mirë. Deklarime të tilla nuk duhet të zënë vend në agjendën e njerëzve të cilët e kanë për detyrë të jenë të drejtë në marrëdhënie me botën.
Por ja që është e çuditshme se gjithkush që intervistohet në Shqipëri dhe për shqiptarët bën si ekspert i kriminalitetit. E jo gjithkush është ekspert, këtë duhet ta kemi të qartë. Mos t’i marrim shumë seriozisht ato që thonë e deklarojnë të tillë “ekspertë”, të paktën ne për veten dhe njerëzit tanë, pasi do të ndihemi në pozitë të keqe, duke menduar vetëm keq për veten tonë. Realisht duhet të bëjmë që të tilla deklarata të vlerësohen me sy kritik. Të mos merren thjesht si të vërteta vetëm pse i kanë thënë të huajt sepse, siç duket, edhe ata e kanë kuptuar se ne jemi shumë të ndikueshëm nga opinionet dhe i lëshojnë të papjekura fare kur është puna për shqiptarët.
Kërkoj mirëkuptimin e lexuesit, pasi unë nuk synoj të arsyetoj se gjithçka që bëjmë ne është e kulluar. Por këto opinione dhe deklarata, që i bëjnë të huajt, qofshin individë apo organe politike, po shfrytëzohen shumë në të ashtuquajturën politikë të brendshme, që po i prishin shumë punë zhvillimit të vendit. Mezi pritet të bëhet një deklaratë qoftë edhe gjysmake nga një i huaj, që të hidhen në sulm politikanët e vendit kundër të “akuzuarit”, siç konsiderohet ai që akuzohet nga një i huaj se, ndoshta, nuk i kanë mbajtur pallton apo çantën. Unë i mirëkuptoj ata që punojnë dhe investojnë për karrige pushteti, ata le të shfrytëzohen deklarata të tilla e të tjera më të rënda kur gjejnë terren. Ama, kur është në fjalë morali kombëtar dhe vlera historike kombëtare, mendoj se duhet t’i vëmë gishtin kokës e frerin gjuhës dhe t’i tregojmë vendin gjithkujt që na hedhë gurë mbi ta.
Institucionet e Evropës, duke marrë përgjegjësi të bëjnë deklarata si ajo që miratoi Këshilli i Evropës mbështetur në raportin e Dick Martyt, merr përgjegjësi t’i përbaltë vlerat kombëtare shqiptare, të cilat ne i kemi të shenjta. Kjo përbaltje, askujt nuk i ka bërë nder vetëm Serbisë e pse jo edhe Greqisë (por që nuk është me interes të merrem tani me të, pasi ndoshta në të ardhmen duhet të them shumë gjëra edhe për të). Pse pra duhet të vazhdojmë të dëgjojmë këtë melodi evropiane kundër shqiptare e pro serbe? A nuk është bindur Evropa se me shpifje e veprime kundër shqiptare nuk e ndihmon dot Serbinë? Unë mund të them se me Serbinë jemi mësuar. Atë dimë mirë si ta luftojmë dhe do ta luftojmë deri kur të mësojë të rrijë si e barabartë në mes të të barabartëve. Po Evropa pse? Kaq shumë kënaqet ajo nëse ne lëmë të na shkelin e skllavërojnë serbët? Çudi.
Kur është deklaruar raporti i Dick Martyt, duke shfletuar literaturë për ta vlerësuar gjendjen, kam veçuar një qëndrim, në të cilin thuhet: “Nuk ka qenë habi që dokumente, projekte dhe pamflete antishqiptare kanë bërë qarqet politike e akademike në Beograd që në shekullin e nëntëmbëdhjetë (Naçertania e Garaçaninit) ato të fillimshekullit njëzet (Andriq), të gjysmës së dytë të shekullit njëzetë (memorandumi i AShA-së të Serbisë dhe Francuska 7 e Beogradit) sepse vinin nga një shtet që kishte spastruar territoret etnike shqiptare, kishte pushtuar gjysmën e territoreve shqiptare dhe në fund u përpoq ta bënte edhe pastrimin etnik të Kosovës në vitet 1998-1999.
Sot ende nuk janë shëruar plagët nga krimet serbe në Kosovë, ku vendi ynë u ballafaqua me politikën dhe strategjinë e tokës së djegur, të spastrimit etnik, të vrasjes, masakrimit dhe dëbimit të mbi një milion banorëve nga tokat e tyre. Ende nuk janë gjetur gjurmët e të zhdukurve dhe shumë të vrarëve nga makineria paramilitare, ushtarake dhe policore serbe, ende nuk ka kërkimfalje për krimet serbe në Kosovë, kur del një senator zviceran dhe përpiqet ta kthejë me kokë së prapthi historinë, duke e njollosur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të kreut të saj drejtues.
Në raportin e tij prej 40 faqesh Dick Marty përpiqet ta nxijë dhe ta vrasë politikisht kapitullin më të ndritur të historisë së re të Kosovës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpiqet që t’i denigrojë moralisht dhe politikisht drejtuesit e UÇK-së. Jo z. Marty, nuk njollosen me shpifjet tuaja rrëqethëse ata që vetëm në saje të drejtësisë, korrektësisë dhe sprovave të vazhdueshme arritën që të gjejnë përkrahje në qarqet më të larta të diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, duke e ngritur në pikën më të lartë çështjen e Kosovës”.
Nuk arrij të kuptoj, a kanë institucionet evropiane një masë matëse të njëllojtë për të gjithë dhe të përhershme, apo e ka një masë sipas opinionit që ka apo që krijon për njërin e për tjetrin? Apo e ka një masë sot me një përmasë e nesër me një përmasë tjetër. Mendoj se ka ardhur koha të kemi edhe në autoritetin tonë, pavarësisht nëse blejnë serbët edhe diplomatë politikanë evropianë me para për të folur e vepruar kundër shqiptarëve. Ne kemi aq fuqi intelektuale dhe politike sa të arsyetojmë gjithçka dhe të japim prova të normalitetit të jetës e të historisë tonë.
Dje UÇK-ja ishte bashkëluftëtare e NATO-s, bashkëluftëtare e Evropës, bashkëluftëtare e të gjitha forcave përparimtare e moderne të kohës. Si nuk bëhet një analizë, por shpifet pa asnjë lloje kriteri, veçse kështu kanë dëshirë serbët? Realisht Evropa duhet t’u thotë mjaft serbëve e Serbisë. Mjaft u ka shkuar sipas avazit. Më duket se ka ardhur koha që Evropa ta mbrojë veten nga tendencat e sllavizimit. Ne shqiptarët e kemi mbrojtur veten kur kemi qenë një popull i vogël e i papërfillur. Jo më sot që jemi 10 milionë shqiptarë vetëm në Ballkan e që do të jemi edhe 100 % të çliruar shumë shpejt. Prandaj është mirë që Evropa të mos mendojë më se ne jemi një komb i vogël i Evropës. Sepse jemi më i madh edhe se serbët edhe se grekët. Por në radhë të parë ne duhet të kuptojmë vetë se jemi një komb i madh dhe të qëndrojmë e të sillemi si i tillë.
Edhe për sa kohë Evropa do të flasë për shqiptarët me gjuhën e Serbisë? Deri kur Evropa do ta përkëdhelë Serbinë në kurriz të shqiptarëve? A nuk ka ardhur koha të shikohen serbët si një popull që duhet të mos ndërtojë më interesat e tyre mbi interesat e të tjerëve dhe në dëm të tyre? Ne jemi evropianë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të drejtojë gishtin më mbi shqiptarët e trojet e tyre. Askush nuk duhet lejuar më që të na konsiderojë një mjet për përmbushje të interesave të dikujt. Ne jemi ata që duhet të tregojmë me vepra, se vlejmë të mos na vënë kurrë në balancën e tregut evropian. Ishte një herë ajo kohë. Evropa duhet të ndryshojë sjellje ndaj shqiptarëve.
Nëse bëmë luftë kundër Serbisë nuk ishim ne fajtorët. Ne ishim të pushtuar e duhej të çliroheshim. Ne ishim të kolonizuar e duhet ta kishim lirinë tonë. Pse doli se paska qenë një faj kjo luftë? Si ka mundësi Evropa të harrojë se ç’hoqëm ne shqiptarët nga pushtimi serb e jugosllav? A ka logjikë të qëndrojë mendimi se shqiptarët qenkan ngritur në luftë, se paskan dashtë të grabisin disa organe jetike të njerëzve të Serbisë? Serbia me mbi 60 mijë ushtarë e 12 mijë policë në Kosovë, Serbia me 63 mijë civilë të armatosur në Kosovë, Serbia me mbi 8 mijë paramilitarë, mbi 5 mijë kriminelë e disa qindra agjentë të UDB-së në Kosovë, Serbia me një administratë të armatosur e të pamëshirshme në Kosovë, shqiptarët të vrarë, të masakruar, të zhdukur, të shpërngulur, të burgosur, të përdhunuar, të paushqyer, të papunë, të grabitur, të helmuar, njëkohësisht shqiptarët fajtorë për të gjitha këto. Kjo Evropë më duket se nuk është normale.
Thuhet se Evropa i do lirinë dhe demokracinë, thuhet se Evropa i do zhvillimin dhe unitetin, thuhet se Evropa i do përparimin dhe paqen, thuhet se Evropa ka ideale për të ardhmen. Po pse nuk i ka këto edhe për shqiptarët e trojet e tyre po i trajton si kanë dëshirë serbët dhe sllavët në përgjithësi? (Vijon)