Në Ferizaj diskutohet draft Kodi i Etikës
Në tetarin e qytetit në Ferizaj është diskutuar drafti i Kodit të etikës për zyrtarët komunal.
Hapjen e këtij diskutimi e ka bërë kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, e cila ka theksuar se ky Kod i Etikës është bërë në bashkëpunim edhe me zyrtarë të ministrisë, përderisa ka shtuar se ka rëndësi tepër të madhe për të gjitha institucionet.
Ndërkaq drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Aurora Ramadani-Abazi, është shprehur se ky kod ka për qëllim të përcaktojë rregullat e sjelljes, veshjes si dhe masave ndëshkimore të shkeljes eventuale nga zyrtarët e komunës dhe përfaqësuesit e asamblesë, sipas rregullave dhe standardeve të vendosura në përputhje me frymën e etikës profesionale dhe morale të komunës.
Sipas drejtoreshës kodi synon zhvillimin e kulturës organizative të punës brenda institucionit për të forcuar dhe promovuar parimet bazë të etikës që do të zbatohen nga zyrtarët e komunës.
Vërejtjet dhe sugjerimet e zyrtarëve komunal, do të pranohen edhe brenda 16 ditëve të punës në mënyrë që Kodi i Etikës të jetë sa më i kompletuar.
(Q.R / Epoka e re)