Në Ferizaj diskutohet draft rregullorja e shërbimeve komunale

22 gusht 2019 | 15:52

Këtë të enjte është mbajtur diskutimi publik i draft rregullores për shërbimet komunale, e propozuar nga Inspektorati i Komunës së Ferizajt.

Me këtë rast, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyqi, ka thënë se kjo rregullore do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të përmirësoj dukshëm edhe shërbimet e jetën e qytetarëve të Ferizajt. “Kjo draft rregullore është inicuar nga Inspektorati, ka kaluar në Kuvendin e Komunës si draft, për t’u diskutuar pastaj me qytetarët, por edhe zyrtarët që merren me këtë proces dhe do të jetë një dokument që do të na shërbej shumë të gjithë”, ka thënë Gashi-Bytyqi.

Nga ana tjetër, koordinatori i Inspektoratit të komunës së Ferizajt, Ridvan Berisha, është shprehur se kjo rregullore është e një rëndësie shumë të madhe, sepse sipas tij deri më tani është punuar me një rregullore e cila ka qenë e vitit 2004 dhe ka qenë e zbatueshme pothuajse nga të gjitha institucionet. “Në koordinim me inspektorët e kemi parë të arsyeshme të inicojmë një procedurë për ndërrimin e kësaj rregullore, jemi munduar që ta kalojmë si plotësim ndryshim, po duke pasur parasysh që kaloi mbi 30 për qind, e kemi ndryshuar në tërësi. Në këtë rregullore zbatues kanë qenë shumë institucione, por tash janë vetëm inspektorët brenda Inspektoratit të Komunës. Me këtë rregullore gjobat kanë qenë të parapara me marka gjermane, ka qenë e pa realizueshme dhe procedurat e mëtutjeshme kanë mundur të iniciohen vetëm përmes gjykatës. Rregullorja e kaluar nuk ka pasur as gjoba administrative që ato të hyra që realizohen të hyjnë në buxhetin komunal, por kanë shkuar tek Këshillin Gjyqësor, ose në nivel qendror”, ka thënë Berisha, përderisa ka përmendur edhe shumë ndryshime të tjera që janë bërë në këtë rregullore bie fjala edhe tek Ligji i Ushqimit.

Po ashtu është bërë me dije se kjo draft rregullore dritën jeshile për zbatim do ta marrë në njërën nga mbledhjet e radhës të Kuvendit të komunës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nesër do ta mbajë takimin…