Në Ferizaj mbahet marshi për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi – Bytyçi, nënkryetari i kësaj komune, Naim Ferati, dhe drejtorë të drejtorive komunale, kanë marrë pjesë të hënën në marshin për të drejtat e fëmijëve dhe kundër punës së detyruar të fëmijëve, që është organizuar nga “Caritas Kosova”, “Terre Des Hommes”- misioni në Kosovë, si dhe shoqata e grupe të tjera sociale.
Duke theksuar angazhimin e qeverisjes lokale në drejtim të avancimit të të drejtave të fëmijëve, Gashi-Bytyçi ka theksuar se institucioni i Kuvendit dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu e kanë në agjendë promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Platforma politike e kryetarit të komunës, Agim Aliu, ka kapitull të veçantë mbrojtjen e familjes, gjegjësisht mbrojtjen e të drejtave të të rinjve dhe fëmijëve”, ka thënë Gashi-Bytyçi.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të muajit të diversitetit kulturor, përkatësisht Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve dhe Ditës ndërkombëtare kundër punës së detyruar ndaj fëmijëve.