Në Forumin e Bledit diskutohet për sigurinë evropiane dhe Ballkanin Perëndimor

31 gusht 2020 | 16:15

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë të hënën se pa zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe pranimin e Serbisë si anëtare e plotë e bllokut evropian, nuk mund të përfundojë procesi i ndërtimit e sigurisë në Evropë. Ai i bëri këto komente si pjesëmarrës i një paneli të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore në kuadër të Forumit të Bledit që po mbahet në Slloveni.

Në panelin me temën “Evropa pas Brexit-it dhe Covid-19”, që filloi të hënën, Orban vlerësoi se “Evropa është në telashe” sepse ajo duhet të rivendosë stabilitetin ekonomik për shkak të pandemisë me koronavirus. “Evropa duhet të kuptojë se nuk është më një ‘lojtare kryesore’ në botë sepse tani janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Në ekonomitë moderne, qendra e përparimit shkencor i takon kryesisht sektorit ushtarak. Dhe meqenëse Evropa nuk ka një ushtri, ajo nuk ka një qendër shkencore për përparimin teknologjik”, ka thënë Orban.

Ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u përmend gjithashtu në fjalimin e kryeministrit të Çekisë, Andrej Babish, i cili ka theksuar se një plan konkret për zhvillimin e sigurisë në Evropë është në zgjerimin e territoreve. “Ne duhet që menjëherë të përfshijmë Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë në zonën Shengen. Ne i premtuam mikut tonë Zoran Zaev (kryeministër i Maqedonisë së Veriut) se do të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Ai dhe Boyko Borisov (kryeministri i Bullgarisë) mbrojnë kufijtë tanë shumë më mirë se disa kolegë të tjerë të Shengenit”, ka deklaruar Babish.

Forumi i Bledit mbahet tash e 15 vite dhe është një projekt i Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, që organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe organizata qeveritare Qendra për Perspektivën Evropiane.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i komunave”…