Në fshatin Dreth të Mitrovicës dyshohet për varrezë masive
Në fshatin Dreth në veri të Mitrovicës dyshohet për varrezë masive, aty ka gjasa të jetë grupi intelektual i Mitrovicës.
Shumë shpejt Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës mund të fillojë gërmimet në një lokacion të ri.
Në fshatin Dreth po dyshohet për një varrezë masive. Së paku kështu thotë drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.
“I kemi disa lokacione në Kosovë ku besojmë se do t’iu qasemi së shpejti. Besojmë se së shpejti do të fillojmë gërmimet në Dreth por jemi në pritje të imazheve satelitore për lokacionin e saktë pasi i kemi tri koordinata dhe na duhet edhe e katërta. Mund të supozohet se aty mund të gjendet edhe grupi i intelektualëve të Mitrovicës apo grupi i ashtuquajtur i Adem Ademit”, ka deklaruar Gërxhaliu për RTK-në.
Gërxhaliu thotë se janë në pritje të imazheve edhe nga disa lokacione tjera në Serbi.
“Kemi dy pika. Një në Kozarev në afërsi të Novi Pazarit. Jemi në pritje të imazheve satelitore nga NATO dhe Amerika. Si dhe një lokacion tjetër që është një minierë thëngjilli në Shtavan, në afërsi të Stinicës”.
Ai ka deklaruar se serbët kanë përdoruar minierat për të humbur gjurmët e krimeve, siç ishte edhe rasti me Kizhevakun apo Rudnicën.