Në ftohtësinë e diplomacisë në flakë
Shkruan: Taulant Malaj
Në New York-un e largët, dikun mes shiut të mëngjesit dhe ftohtësisë së delegacionit serb të kryesuar nga Ivica Daçiç, mori rrugën takimi i dytë i Këshillit të Sigurimit për të analizuar zhvillimet në Kosovë. Duhet thënë se ky takim, i dyti nga tre të planifikuar për këtë vit, koincidoi të jetë jo shumë kohë pas një operacioni të organeve ligjzbatuese të Kosovës kundrejt krimit të organizuar në veriun e vendit, dhe disa komuna të tjera, sikurse edhe me përvjetorin e rezolutës 1244.
Në hyrjen e këtij takimi, natyrisht se vendi në krye të oxhakut do i takonte shefit të misionit të UNMIK, afganistanezit Zahir Tanin. Siç ndodh random me udhëheqësit e misioneve ndërkombëtare, edhe Z. Tanin natyrisht se nuk mund të bënte përjashtim nga moda e zakonshme e viktimizimit. Misioni i UNMIK-ut, në Kosovë përvec të tjerave ka për detyrë që ndihmojë në shtrirjen dhe forcimin e rregullit të ligjit, anembanë Kosovës. Rasti i punonjësit me orgjinë ruse të këtij misioni në Mitrovicë, që duhet thënë se nuk është një punonjës i zakonshëm, por shefi i zyrës së UNMIK-ut, në Zubin Potok, do duhej që të ngrinte alarmet brenda instancave të UNMIK-ut dhe UN për atë që është thënë me vite me radhe: UNMIK dhe EULEX janë kthyer në abuzues të mandateve të tyre. Të dyja këto organizma kanë shërbyer dhe shërbejnë si mburoja të shërbimeve inteligjente të vendeve të ndryshme. Ne fjalën e tij, Z. Tanin nuk mori një herë mundimin që tu jepte “benefit of doubt” organeve ligjzbatuese të Kosovës, sipas të cilave Z. Mikhail Krasnoshchenkov në abuzim të plotë me detyrën e tij fuksionale dhe organizmin që statusi i tij diplomatik në Kosovë përfaqëson, ka ndërhyrë në veprimet e policisë së Kosovës. Biles, as nen-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për ceshtjet ligjore Z. Miguel de Serpa Soares nuk arrinte të kuptonte se askush në Prishtine, Washinton, Londër, Berlin e Varshavë nuk e ka vënë dhe as nuk e vënë në diskutim nevojën për mbrojtje të punonjësve të UNMIK, por e gjithë kjo duhet të jetë e qartë për aq kohë sa pjestarët e Kombeve të Bashkuara janë në ushtrim të detyrave të tyre funksionale në zbatim dhe konform mandatit të dhënë. Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, përsoni në fjalë nuk ka qënë në zbatim të tyre, për aq kohë sa Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara operon në bazë të preambulës së kësaj organizate. Së paku, zotërinjtë Tanin dhe Soares do duhej të mos shpreheshin pro kesaj apo asaj pale për aq kohë sa nuk ka një hetim final dhe të plotë të ngjarjes.
Ishte e qartë sot se ftohtësisë së motit, delegacionit të Serbisë dhe dhomës së madhe ku zhvillohen takimet e Këshillit të Sigurimit i ishin shtuar edhe ftohtësitë e deklarimeve të Kinës e Federates Ruse. Dacic, sikundër edhe pritej, qau e qau si një femijë i stërkequr në rrugicat e Prizrenit që pasi e kapen duke vjedhur topin e femijëve të komshisë tash nuk e linin as të luante më në mahallë. Qau me lot krokodili për kompatriotët e tij që tash nuk qënkan në Kosovë për shkak të shqiptarëve edhe pse harroi të tregojë se si erdhën në Kosovë ata. Qau edhe pse policia e Kosovës, më në fund, arriti të vërë këmbën dhe te operojë në zemrën e kontrabandës serbo-shqiptare në veri, qau edhe për miliona euro humbje që Serbia paska nga taksa që vuri qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, qau se përse Shqipëria, kryeministri i saj Edi Rama dhe ministri i jashtëm në detyrë, me origjinë nga Kosova, Gent Caka shprehen për mbrojtjen e interesave të Kosovës. Jo cuditërisht, Dacic harroi të kërkojë falje për mijera jetë të marra gjatë periudhës 1998-1999, për qindra gra e vajza që u perdhunuan, për mijera të burgosur që as nuk u dihet nami e nishani. Jo, jo nuk u kujtua të kërkonte falje as për qindra fëmijë të masakruar nga ata që ai vëtë i konsideron heronj të Serbisë, cetnikët.
Përballë orkestrës beogradase me artistë serbë, kinezë, rusë, afrikanë e deri diku francezë e belgë qëndroi si ato heroinat e eposeve tona kreshnike, e qetë por e saktë, ambasadroja Citaku. Aq e qetë sa e shqetësoi edhe Daçiçi që gati i’u mbarua edhe uji që i kishin venë përpara. Ehhh bela, kështu është kur stë zë vendi vend. Si gjithmonë, në krahun e së drejtës qëndruan po ata që gjithmonë ka qënë të tillë, Washintoni, Londra, Berlini e Varshava. Të gjithë i bënë thirrje veshëvr të shthurur të orkestrës beogradase qe pinte opiumin afganistanez në shazllonët portugezë.
Kosova ka rrugë të gjatë përpara, rrugë të mbushur me sfida, rrugë ku edhe gabimi më i vogël do bëhet buall. Duke mos qënë present në ngjarjen e Zubin Potokut është vështirë të kesh një qëndrim të qartë dhe objektiv por për aq kohë sa ka një hetim nga organet e ligjit në Kosovë, të cilat i monitorojnë edhe vetë institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe ambasadat e zyrat diplomatike në Prishtinë. Po ashtu, është absurde të dilet me konkluzione paraprake të bazuara në qëndrime dhe dëshira politike.
Të nderuar punonjës të UNMIK-ut, respektoni traditat, zakonet dhe ligjet e vendit ku po shërbeni dhe ku po mbushni llogaritë tuaja bankare. Jo shumë kohë më parë, kolegët tuaj, pjestarë të misionit ndërkombetarë në Kosovë kanë abuzuar me miliona Euro përfitime, kanë marrë jetë njërëzish të pafajshëm në rrugët e Kosovës e persëri asnjëri nuk është vënë para përgjegjesisë. Kjo nuk është drejtësi, është anarshi më mandat ndërkombëtar.