Në fund të javës rikthehen temperaturat verore
Vendi ynë edhe në ditët në vijim do të vazhdojë të përfshihet nga mot kryesisht më shi dhe vetëm në fund të javës do të rikthehet koha me diell dhe temperatura më të larta.
Njoftimi i plotë i IHMK-së për motin gjatë periudhës 1-5 gusht:
Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të lagështa të ajrit dhe nën presion labil atmosferik. Në këtë situatë sinoptike do të mbajë mot me diell dhe vranësira të çrregullta, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje shiu.
Reshjet do të jenë më të përqendruara në qendër, jug dhe verilindje të vendit , derisa pjesët tjera të vendit mbesin me reshje të izoluara shiu, kryesisht viseve me lartësi të mëdha mbidetare. Shtypja atmosferike mbetet rreth vlerave të normales, me tendencë ngritjeje.
Në bazë të parashikimeve sinoptike pritet qe nga e shtuna të mbajë mot i mirë me diell dhe me temperatura tipike verore.
Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë celsius.