Në fund të muaj pritet të dëgjohet dëshmitari i mbrojtjes në rastin e Salih Mustafës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur konferenca përgatitore për mbrojtjen e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Palët kanë diskutuar me trupin gjykues rreth afateve për paraqitjen e provave nga mbrojtja, ku avokati Julius Von Bone ka deklaruar se planifikojnë të fillojnë me deklaratën hapëse në fund të muajit mars e të cilën e pason dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.
Paraqitja e dëshmitarëve dhe provave nga ana e mbrojtjes vjen pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur zyrtarisht çështjen e saj më 4 shkurt.
“Le të mendojmë që do të fillojmë me datë 23 mars me deklaratën hapëse dhe do të vijojmë ditën tjetër me dëshmitarin e parë, dëshmitari i parë do të ishte dëshmitari i dytë i renditur në listë apo jo”, ka thënë avokati Von Bone.
Ai ka thënë se i duhen dy orë për ta paraqitur deklaratën hapëse.
“Çështja ka të bëjë me datën 23 dhe 24 mars, dëshmitari i parë që do të jetë në gjendje të jetë i pranishëm është dëshmitari dy në listën tonë, është dëshmitari me numrin 200. Sinqerisht mendoj që do të ishte e dobishme që të përdorim këto dy ditë për të që të përfundojmë me dëshminë e tij, pastaj javën që vjen të mund të bëjmë planifikimin e dëshmitarëve të tjerë. Dhe ky është një dëshmitar të cili ne kemi dëgjuar edhe si dëshmitar të prokurorisë por mendojmë që do të kemi nevojë për të dyja ditët për të, kështu që nëse do të thërrasim një person tjetër dhe nëse do të mundohemi të planifikojmë vetëm paraditen në seancën e paradites për këtë dëshmitar nuk do të mjaftojë, kështu që mendoj se do të ishte më mirë që të përdornim të plota të dyja ditët”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetarja e trupit gjykues ka bërë të ditur se më 24 mars sallën e gjyqit do të mund ta shfrytëzojnë vetëm paradite meqë do të ketë edhe një tjetër seancë aty.
Në konferencë është diskutuar edhe për materialet e mbetura që mbrojtja synon t’i nxjerrë për ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave.
Von Bone ka bërë me dije se një dëshmitar ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe një tjetër anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Ne e kemi serish këtë dëshmitar dhe pavarësisht që ky dëshmitar ka dëshmuar diçka rreth vendndodhjes së Salih Mustafës, çështja kryesore është që ky person është një anëtar i LDK-së, ka qenë anëtar i një prej degëve të LDK-së, kështu që pozita më e mirë për të dëshmuar për çështjet nëse ka pasur ndonjë armiqësi në LDK për këtë arsye do të dëshmojë ai. Dhe në fakt ai e ka takuar zotin Mustafa në disa raste dhe për këtë arsye nxjerrja e këtij dëshmitari, e dokumenteve të këtij dëshmitari, nuk është dhënë më përpara dhe kjo është arsyeja pse deklarata e tij është përfshirë në grupin e dytë. Shpresojmë që deklarata e tij është e rëndësishme për përcaktimin e ecurisë së çështjes dhe vendimit në fund”, ka thënë Von Bone.
Konferenca përgatitore për mbartjen në rastin ndaj Salih Mustafës është zhvilluar para fillimit të paraqitjes së provave nga mbrojtja.
Konferenca do të vazhdojë nesër, kur trupi gjykues do të marrë disa vendime gojarisht. Mustafa është pjesë e konferencës përmes video lidhjes.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Ksp/