Në fundjavë xhiroja e 11-të, derbi më vonë
Prej të shtunës deri të hënën zhvillohet nga një ndeshje e xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Por derbi i xhiros, Rahoveci – Kastrioti, do të luhet më vonë. Rahoveci ka udhëtuar për në Rumani për të luajtur ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Kupës Evropiane me skuadrën Minaur Baia Mare. Për këtë arsye ndeshja me Kastriotin e Ferizajt zhvillohet në termin tjetër.
Xhiroja hapet të shtunën nga ora 19:00 në Pejë, ku takohen Besa Famgasi e Trepça. Besa është e treta me 14 pikë, ndërsa Trepça renditet e fundit, pa pikë.
Më shumë rivalitet pritet të dielën nga ora 15:00, kur takohen Llapi e Vjosa. Llapi është i shtati me gjashtë pikë, ndërsa Vjosa ka dy pikë më tepër në vendin e pestë.
Të hënën prej orës 20:00 është ndeshja Prishtina – Vushtrria. Prishtina i ka 10 pikë në vendin e katërt. Vushtrria është e gjashta me gjashtë pikë.
Në program është edhe xhiroja e nëntë e Ligës së Parë të hendbollisteve.
Të shtunën nga ora 18:00 në Obiliq takohen Trepça e KEK-u. Ndeshjet e së dielës janë: Llapusha – Dukagjini (13:00), Prizreni – Vjosa (12:00), Ulpiana – CLICK (14:30, Prizren).