Në Fushë-Krujë digjet vetura me targa nga Mitrovica bashkë me një person brenda
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në afërsi të fshatit Derven në Fushë-Krujë, ku një automjet është djegur tërësisht bashkë me një person brenda.
Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë njoftuar policinë menjëherë pasi kanë lokalizuar tymin dhe flakët pranë disa shkurreve.
Burime për “Report Tv” thanë se makina është me targa të Mitrovicës, 02 960 SN, në pronësi të Xhavit Osmanit.
Mbetet e pakonfirmuar nëse viktima është vetë pronari i automjetit.
Mbërritja e policisë ka konfirmuar se brenda në automjetin tip “Volkswagen Turan” i përfshirë nga flakët ndodhej edhe një kufomë e shkrumbuar nga zjarri.
Ngjarja dyshohet të jetë kriminale, megjithatë grupi hetimor po punon për saktësimin e plotë të rrethanave.
Trupi i pajetë është i karbonizuar çka vështirëson identifikimin e viktimës.
Ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Ndërsa ekipet mjeko-ligjore kanë marrë kufomën nga automjeti i djegur për t’i bërë ekspertizën dhe AND-në në morgun e QSUT në Tiranë.