Në Gazimestan serbët shënojnë Vidovdanin
Serbë nga Kosova dhe rajoni shënuan të premten Ditën e Shën Vidit, e njohur edhe si Vidovdan, në Manastirin e Graçaniçës.
Kurse manifestimi qendror është mbajtur në Gazimestan, pranë Prishtinës. Liturgjitë u udhëhoqën nga metropolitani Amfilohije dhe peshkopi Teodosije, së bashku me priftërinj të Kishës Ortodokse Serbe, ndërsa të pranishmëve iu drejtua peshkopi i pensionuar, Atanasije.
“Ky është vendi i fitores dhe nuk është i vetmi. Kemi fitore të mëvonshme në Kosharë dhe Pashtrik. E kemi mundur edhe NATO-n dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Atanasije, raporton “REL”.
Sipas vlerësimeve të Policisë së Kosovës, në ceremonitë në lokacionin e Gazimestanit morën pjesë 800 deri në 1 000 veta, kryesisht serbë nga Kosova dhe Serbia, porse ka pasur edhe automjete nga Bosnja dhe Sllovenia.
Kremtimi i Vidovdanit ndërlidhet me përvjetorin e 630 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.