Në gjashtë muajt e parë të vitit në Kosovë janë përdhunuar 53 vajza dhe gra
“Në gjashtë muajt e parë të vitit, në Kosovë janë përdhunuar 53 vajza dhe gra. 53 të përdhunuara, qindra të tjera të ngacmuara e sulmuara seksualisht, e mijëra nga ne të cilat jetojmë çdo ditë si të ishte luftë. Për shumë nga ne, përditshmëria është e shoqëruar me frikë. Për shumë nga ne, çdo ditë është luftë”, është bërë me dije në njoftimin e Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
Megjithatë, në njoftim theksohet se kjo frikë nuk duhet të përdoret si mjet “për të na disiplinuar neve, për të na bërë më të kujdesshme a vigjilente në mos hasim në dhunues e shoqërinë indiferente ndaj problemit”.
Sipas Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, kjo gjendje dhune është duke e qeverisur shoqërinë tonë, andaj duhet t’i kundërvihemi me organizim.
“Nga rrugët e Prishtinës, ne thërrasim në mobilizim dhe angazhim mbarë shoqëror në zhbërjen e strukturave patriarkale që po prodhojnë dhunë, burra përdhunues e një shoqëri apatike. Thërrasim në revoltë kolektive dhe solidarizim me të gjitha/ë të mbijetuarave/ëve të dhunës”, është theksuar në njoftimin e Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.