Në Gjermani, protesta kundër bashkëpunimit me AfD

02 shkurt 2025 | 10:21

Në mbarë Gjermaninë dhjetra mijë vetë demonstrojnë kundër bashkëpunimit të çfarëdolloj forme me partinë e esktremit të djathtë AfD. Në fokusin e protestave ishte edhe unionin konservator i kristiandemokratëve.

Protestat më të mëdha u zhvilluan në Hamburg, në Këln, Leipcig dhe Shtutgart. Njerëzit në mbarë Gjermaninë dolën në protesta në rrugë, për të demonstruar kundër bashkëpunimit me AfD. Sipas të dhënave të policisë në përgjithësi protestat ishin paqësore. Unioni kristiandemokrat ishte në fokus të protestave, sepse të mërkurën (29.01.2025) me mbështetjen e AfD u miratua në Bundestag (parlament) mocioni i kristiandemokratëve për ashpërsimin e ligjit të migracionit. Ndërsa të premten (31.01.2025) dështoi kalimi i projektligjit për migracionin.

Protestat, në përgjithësi, paqësore

Në Hamburg sërish protestuan dhjetra mijë vetë. Sipas të dhënave të policisë numri i pjesëmarrësve ishte 65.000, njoftoi televizioni publik NDR. Një zëdhënëse e organizatorëve të protestës tha, se ishin 80.000 pjesëmarrës. Protesta kaloi në mënyrë paqësore, njofton policia.

Rreth 10.000 protestues në Bremen, sikurse njofton NDR, demonstruan kundër së djathtës. Edhe në Lyneburg, Braunshveig, Hanover mijëra vetë dolën në protesta.

Në Köln (landi Renania Veriore-Vestfalia) protestuan rreth 16.000 vetë, sipas medias publike WDR, e cila u referohet të dhënave të policisë. Organizatorët bënë fjalë për 45.000 demonstrues. Protestuesit mbanin pankarta me sloganet: “Jo Merz nga marsi” ose “Fritz dëgjo mamin!”. Ish-kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel, që gjatë kohës së qeverisjes quhej me ironi edhe “mami”, u shpreh hapur kundër votimit të përbashkët të CDU-së me AfD-në. Edhe në qytete të tjera si në Esen, Aachen pati protesta të shtunën (01.02.2025).

Edhe në Shtutgart në landin Baden-Vyrtenberg dhjetra mijë vetë iu bashkuan protestës kundër zhvendosjes djathtas.

Kundër votimit të përbashkët të CDU-së dhe AfD-së lidhur me politikën e migracionit u protestua edhe në disa qytete në Bavari.

Edhe në landet lindore të Gjermanisë në qytetet Leipcig e në Drezden kanë protestuar disa mijëra deri në 10.000 vetë, sipas mediave që u referohen të dhënave të policisë. Një ndër bashkëorganizatoret e protestës në Leipcig, Bente Stork, në adresë të CDU-së dhe kryetarit të partisë Friedrich Merz tha, se: “Kush bashkëpunon me fashitët, duhet të marrë parasysh rezistencën tonë.” /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtarët ukrainas tani po përdorin dronë me rreze të gjatë…