Në Gjilan do të ngritët shtatorja e heroit Abdullah Tahiri
Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet në shënimin e 20-vjetorit të rënies së heroit të kombit Abdullah Tahiri.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo komunë është duke e vazhduar traditën e respektit për të gjithë ata që janë flijuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Bashkë me shumë të burgosur të luftës, Abdullah Tahiri ashtu siç ka qenë edhe në jetë i vrullshëm dhe kryengritës, ka rënë dëshmor për këtë vend. Për këto pesë vite, Gjilani po vazhdon traditën e respektit dhe gjunjëzimit për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të veçantë. Jam shumë i nderuar që në këtë mandat po realizohet edhe shtatorja e Abdullah Tahirit”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se është i nderuar që ka pasur fatin të bashkëpunojë me heroin Tahiri.
“Kam pasur fatin që të njihem në dy periudha të rënda; prej vitit 1989 deri në burgosje dhe në periudhën e burgosjes në burgun hetues të Gjilanit ku kam kaluar bashkë me të pasi ishim pjesë e grupit të përbashkët të akuzuar për terrorizëm dhe veprimtari armiqësore nga regjimi i kohës. Jam krenar që këto dy periudha i kam kaluar me të. Lavdi e përjetshme”, ka theksuar Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka paralajmëruar se këtë vit do të vendoset edhe shtatorja e mulla Idriz Gjilanit, riorganizimi dhe renovimi i shtatores së Agim Ramadanit, fillimi i inicimit për shtatoren e Kadri Zekës, si dhe do të vlerësohet edhe figura e Ramiz Cernicës.
/Epoka e re/