Në Gjilan hapet ekspozita që simbolizon lirinë e Kosovës
Në Komunën e Gjilanit aktiviteti tjetër në shënim të Ditëve të Lirisë, ishte edhe akspozita kolektive e krijuesve gjilanas të cilët kanë paraqitur në forma dhe teknika të ndryshme gjendjen e vështirë të Kosovës para dhe gjatë luftës, por edhe lirinë që është elementi kryesor i jetës normale në demokraci.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila ka marrë pjesë në hapjen e kësaj ekspozite, ka thënë se brusha dhe dora e artistit më së miri paraqet gjendjen në të cilën ka qenë Kosova dhe atë se ku do të jetë gjatë të ardhmes.
“Kjo ekspozitë është e hapur gjatë gjithë kohës nga sot deri më 15 qershor. Është me vepra të ndryshme dhe në teknika të ndryshme. Jemi krenar me angazhimin dhe punën e bërë në rrugën e promovimit të vlerave të mirëfillta dhe paraqitjes së realitetit përmes artit. Gjendja në të cilën ishim para 19 vjetësh, sigurisht që secili e kujton sikur të ishte brenda qastit. Në këto punime secili e gjenë veten sepse të gjithë kemi qenë pjesë e shtypjes, e okupimit e dhimbjeve, e vështirësit e çka jo tjetër”, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini.
Ajo gjithashtu ka ftuar të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në këtë ekspozitë, por edhe të jenë pjesë e takimeve dhe aktiviteteve të shumta për të shënuar në mënyrë sa më masovike Ditët e Festës së Çlirimit të Gjilanit.