Në Gjilan përkujtohen martirët e Llashticës
Fshati Llashticë i Gjilanit ka përkujtuar 26 martirët e vrarë nga forcat serbe 20 vjet më parë, në mesin e të cilëve edhe foshnja trejavëshe.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë homazhe te varret e të rënëve, me ç’rast ka thënë se masakra e Llashticës është Reçaku i Anamoravës.
“Prilli shënon dhimbjen më të madhe të masakrës së Llashticës, e që është Reçaku i Anamoravës. Në këtë masakër nuk u kursye askush, as Luli 11-vjeçar. Përmes Llashticës, ne kujtojmë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit. Gjaku i tyre është gjaku i lirisë, por gjaku që bënë dritë e që nuk shuhet kurrë është gjaku i fëmijëve. Pafuqinë që të luftojnë me ata që kanë qenë në front, ata u hakmorën në fëmijë, pleq e plaka. Sot ne e kujtojmë me gjunjëzim dhe lus familjet që të bëhen të forta”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se ndihet krenar me projektet që i ka realizuar komuna në këtë fshat në pesë vitet e fundit, duke shtuar se tashmë janë në prag të fillimit të ndërtimit të ambulantes.
Në këtë tubim janë lexuar poezi të përgatitura nga nxënësit e shkollës “Esat Berisha”, me tematikë patriotike në kujtim të të rënëve.
/Epoka e re/