Në Gjilan shënohet 20-vjetori i themelimit të Shoqatës së të Verbërve
Është shënuar në Gjilan 20-vjetori i themelimit të Shoqatës së të Verbërve, e cila është bërë nën përkujdesjen e kryetarit, Lutfi Haziri.
Në këtë ngjarje, ka marrë pjesë nënkryetari Arbër Ismajli, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, menaxheri i Handikos në Gjilan, Fatmir Shurdhani e përfaqësues të tjerë.
Në fjalën e rastit, kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për organizimin e kësaj ngjarje dhe për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar për këtë kategori të shoqërisë.
“Dua t’ju falënderojmë përzemërsisht për krejt mbështetjen që e kemi pasur në këto 20 vite, në realizimin e të drejtave tona, si në aspektin ligjor, po ashtu edhe aspektin e realizimit të aktiviteteve, të cilat kanë qenë udhërrëfyes për t’i mbërri qëllimet tona. Ne si komunitet e kemi një ëndërr, që një ditë komuniteti me aftësi të kufizuar të mos jetë më barrë e shoqërisë, por të jetë i aftë, i pavarur dhe i zoti për vete dhe familjet e tyre”, ka thënë Spahiu.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili, në emër të kryetarit Haziri, i ka uruar kësaj shoqate 20-vjetorin e themelimit, sikurse që i ka përgëzuar për punën dhe aktivitetet e tyre. “Ju sigurojmë që ne si institucione do të vazhdojmë t’ju mbështesim në projektet dhe kërkesat tuaja me të gjitha kapacitetet tona komunale, për personat me aftësi të kufizuara e për shoqatat e tyre”, ka thënë Xhemaili.
Në këtë ngjarje ka folur edhe kryetari i Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuara, Bujar Kadriu, drejtori i Administratës së Përgjithshme të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi, drejtori i Qendrës burimore për mësim dhe këshillim në shkollën “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu.
Në fund, janë ndarë mirënjohje falënderimi për avansimin e të drejtave të të verbërve të Gjilanit.
(Q.R / Epoka e re)