Në gjysmëfinale mund të ndodhë gjithçka!
Anglia, Belgjika, Franca dhe Kroacia, sipas rendit alfabetik, janë skuadrat e mbetura që do të tentojnë të kapin fillimisht finalen, e më pas të ngrenë trofeun e Kupës së Botës që po zhvillohet në Rusi, epilogu i së cilës do të mbyllet mbrëmjen e 15 korrikut në Moskë.
Janë pikërisht këto 4 kombëtare, që për shkak të ecurisë në turneun e sivjetshëm, konsiderohen si 4 më të fortat e botës, por vetëm njëra prej tyre do të bëjë të vetin trofeun dhe futjen në librat e historisë.
Dikush mund ta ketë mbiquajtur një “minieuropian”, por është e padrejtë për sa kohë që kemi parë të eliminohen nga verdiktet e fushave të blerta, mes të tjerave, edhe skuadrat amerikano-latine si Argjentina, Brazili, Kolumbia dhe Uruguai. Gjithsesi, një të vërtetë e ka sanksionuar edhe ky turne: deri më tani ka bërë përpara më e mira që mund të ofrojë futbolli, si një lojë kolektive e duke lënë mënjanë individët. Thjesht dhe qartë, s’ka Messi, por Griezmann dhe Mbappe; s’ka Neymar, por De Bruyne dhe Hazard; sikurse iu është mohuar mundësia për të shkuar drejt trofeut Cristiano Ronaldos, Cavanit, Suarezit, Di Marias. Tashmë është momenti i së vërtetës për lojtarë si Kane, Alli, Modriq dhe Rakitiq, të cilët premtojnë gjithashtu spektakël.
Botërori do të ndalet sërish për dy ditë, për të rifilluar të martën në Shën Pjetërburg, ku pritet të zbresin dy skuadra me teknikë dhe shpejtësi të llahtarshme. Franca, nga njëri krah, që vjen si pretendentë prej fillimit, e Belgjika nga krahu tjetër, që duket e gatshme më në fund të bëjë realitet ëndrrat e një brezi të tërë.
Duelet e drejtpërdrejta në të kaluarën flasin në favor të “gjelave” francezë, të cilët mes Botërorëve dhe Evropianëve nuk kanë humbur kurrë përballë “djajve të kuq”, por faktikisht, Hazard me shokë treguan edhe ndaj Brazilit se kanë ardhur në Rusi për t’i shkuar deri në fund këtij turneu. Sulmet e të dyja skuadrave janë të frikshme: Mbappe dhe Griezmann do të sfidojnë Lukaku, Hazard dhe De Bruyne, por sfida e vërtetë do të zhvillohet në mesfushë, aty ku Franca gëzon një avantazh ekuilibriteti krahasuar me skuadrën e drejtuar nga Martinez. Kante dhe Pogba janë një mur i pakalueshëm, fizikisht dhe teknikisht, ndërsa në aspektin mbrojtës, Belgjika mund t’i falet sërish një dite të mirë të Courtois, pa harruar se përballë kanë një tjetër portier të shkëlqyer si Lloris.
Sfida tjetër zhvillohet mes dy kombëtareve që konsiderohen si “outsider”. Është një sfidë tipike mes mesfushës së hekurt të kroatëve dhe freskisë së Anglisë, e për më tepër aty ku nuk mund të veçosh një emër apo një çelës suksesi. Kroacia, sa i përket organikës, është një prej skuadrave më të forta të Botërorit, por ka hasur shumë vështirësi si ndaj Danimarkës, ashtu dhe ndaj Rusisë, duke siguruar kalimin e tureve vetëm falë penalltive. Ndërsa Anglia është e paparashikueshme, sikurse edhe lojtarët sulmues të “Tre luanëve”. Diferencën pritet ta bëjnë vetëm detajet, ndoshta edhe zgjedhjet që mund të bëjnë trajnerët respektivë. Kroacia e udhëhequr nga Rakitiq dhe Modriq ka arritur tashmë objektivin, përsëritjen e suksesit historik të vitit 1998, ndërsa anglezët mungonin në një gjysmëfinale prej Botërorit të vitit 1990, tashmë me një skuadër tejet të re nën drejtimin e Southgate, duke ndezur kështu entuziazmin e të gjithëve, përfshi edhe tifozët specialë brenda “Buckingham Palace”. Gjithsesi, një paralajmërim për “të shpëtuar Mbretëreshën”, është: shmangni 11-metërshat! Kroacia di fare mirë sesi fitohet nga gjuajtjet e penalltive dhe këtë e ka treguar, ndërsa Anglia sapo ka thyer një tabu të gjatë ndër vite. (Top Channel)