Në Goli Otok bëhej terror i vazhdueshëm
Bisedë me Ali Kelmendin (2)
Po ai shkau e paska thënë qartë: S’ka qenë yni, e kemi likuiduar!?
Në vitin 1947 zhduket edhe Nexhat Agolli.
Në të njëjtën mënyrë e kanë likuiduar edhe Zenel Hajdinin!?
– Zenel Hajdinin e kanë vrarë gjatë luftës. E kanë nxjerrë në pritë dhe e kanë vrarë çetnikët. Muhamet Pirraku ka shkuar në Preshevë dhe ka kontaktuar me njerëz që janë me njolla. Edhe ata ia kanë thanë disa gjëra. Për shembull, i kanë thënë se në kohën e ‘45-tës, ka folur Ibrahim Kelmendi. Në atë kohë Kelmendi ka qenë i rrezikuar. I kanë thënë ta qesin në mal, andej mbi Preshevë. Derisa ka zbritur nga mali, ku ka qëndruar mbi një muaj e gjysmë, derisa ka dalë vera, ka ndenjur në mullirin tonë. Atë kohë as nuk kemi guxuar t’ia përmendnim emrin. Na ka pas mësuar Abdullahu. Mos fol as mirë as keq; nëse e shan, thonë po ditka diçka, nëse e lëvdon, paska me të lidhje. Ibrahim Kelmendin e ka shpëtuar familja ime. Pse e kemi shpëtuar? Për arsye se ka qenë i gjakut tonë. Të ta humbë gjakun dikush, ka qenë dobësi e madhe.
Për Abdullahun nuk kemi asgjë konkrete. Ato që po i bën shtypi tash, m’u kanë gërditur. Ato që shkruan Bota sot e Koha ditore janë gjithçka dhe e padisin njëri-tjetrin. Unë e lexoj vetëm Rilindjen, që është më korrekte. Te ne ka shumë dobësi, se merremi vetëm me njëri-tjetrin.
Ju u kthyet prej shkollës?
– Mbasi vdiq Abdullahu, Selim Selimi ishte luftëtar i 41-shit, ai mbeti aty. Erdhi e më tha mua se isha sekretar i komitetit të vendit për Preshevë. Ka qenë njëherë Abit Dedi aty, Avdi Beqiri. Më kanë thënë, shko thuaj Abdullahut, e kemi një takim me të. Shkova, e thirra Abdullahun. I thanë Abdullahut; puna e Preshevës ka mbetur pezull. Serbia po thotë se është e Serbisë, Maqedonia po thotë se është e Maqedonisë. Si duket, Serbia do ta marrë Preshevën. Pse, bre bacë, të lidhemi me Serbi a me Maqedoni, kur kemi qenë me Vilajetin e Kosovës. Në kohën e Turqisë e kam dhënë provimin për gjyqtar në Prishtinë. Atëherë qendra e gjyqit ishte në Prishtinë, ndërsa ekzekutivi në Shkup. Ai thotë kjo asht arterie që e lidh Serbinë me Maqedoninë. Vasa Çubrilloviqi ka thënë që ky njeri duhet likuiduar. Ky ka lexuar dhe di shumë gjëra. Kishte katër vjet shkollë. I thotë, më mirë është të mbetet me Maqedoni se me Serbi. Beogradin e kemi më larg. Këndej, nga Shkupi, na tërheq puna dhe çdo gjë tjetër. Si duket, ky ka thënë që populli po e lyp për t’iu bashkuar Kosovës. Kjo nuk u bë dhe u pa qe nuk e lejuan as me Maqedoni, as me Kosovë. Kur i kanë thënë t’i ndalim brigadat nga Maqedonia me brigadën tonë, ai ka thënë se në mund t’i shkatërrojmë lehtë ato, por të tjerët do të na e bëjnë ma zi se çamëve në Çamëri. Unë mbeta i habitur, se nuk kisha dëgjuar kurrë për çamë. Ai thotë, grekët e kanë spastruar etnikisht Çamërinë dhe ashtu mendojnë ta bëjnë serbët edhe Kosovën. Unë Abdullahun nuk e kam as kushëri, se ai është Krasniqe, e unë jam Kelmend, s’kisha asnjë interes, as lidhje fisi. Nëse është për ta lëvduar, le ta lëvdoj dikush tjetër. Ai, Skënder Kadriu, ka qenë i biri i patriotit, i biri i luftëtarit të çetës Çerçiz Topulli. Për hatër të babës së tij, e kanë bërë komandant brigade Skënderin. Këtë e kanë marrë, e kanë mbajt 12 vjet burg. Unë nuk kam asnjë leverdi për t’ia mbajt krahun, njërit apo tjetrit. Kur krejt i liruan nga burgu, tanët i mbytën 54. Në burgun e Goli Otokut i kanë çmendur njerëzit.
Skënder Kadriu ka qenë shumë i njohur. Janë liruar vetëm 5 a 6, ky Rasim Domi dhe Ahmet Çerkezi e do nga Maqedonia. Një funksionar jugosllav i ka thënë Ahmet Çerkezit: këta që janë shqiptarë, e dimë, por ti – çka po do me ta?
A ka qenë Ymeri në Goli Otok?
– Pushteti i ka çmendur në burg. Ai u ka thanë në fytyrë, ju jeni pushtues dhe keni ardhur nga Karpatet. I kanë thënë, mos, se kjo të kushton. Ju e dini që keni ardhur këtu në shekullin e gjashtë e të shtatë. Nëse ju doni të bëni sistem të vëllazërim-bashkimit, duhet të vijnë mësuesit shqiptarë e t’i mësojnë fëmijët në Kosovë në frymën e besës njerëzore. Ishin krejt eprorë ushtarakë aty. Aty ishte edhe zëvendësi i Kardelit. Disa gjëra nuk bën të shpalosen krejt. Vjen koha për këtë. Jeta i ka këto. A po e sheh sot ku jemi? Nuk jemi askund akoma.
Pse e morën në burg Skënder Kadriun?
– Skënder Kadriu, gjatë luftës, ka qenë në Mitrovicë. Xhafer Deva në atë kohë e ka pasur Mitrovicën në dorë. Si birin e patriotit, Skënderin e ka emëruar kapiten, oficer të kufirit – për doganë. Ky i ka mbikëqyrur doganat në atë kufirin që ndante Mitrovicën gjatë pushtimit. Thonë që kanë dyshuar për të, se nuk ka vepruar si duhet, kur është fjala për interesat e Serbisë. E kanë burgosur, e kanë dërguar në Beograd. Prej aty, me intervenime, e kanë nxjerrë dhe ky ka shkuar në Tiranë. Në Tiranë e kanë marrë dhe e kanë emëruar sekretar të dytë të prefekturës së Kërçovës. Kur kanë hyrë partizanët, ky është tërhequr. U ka thanë shqiptarëve, mos rezistoni. Mandej janë tërhequr partizanët. Ka shkuar një i Gjilanit në Tetovë, një Hysen Rexhepi, i ka thënë: Skënder, të njohim dhe e dimë qëndrimin tënd. Po ta japim një letër dhe shko paraqitu në Preshevë, te Abdullahu. Skënderi vjen dhe ma jep mua atë letër. Unë ia jap Abdullahut. Nuk e kam lexuar çka ka shkruar në të. Abdullahu ka thënë që Skënderi ta aktivizohet menjëherë. Të bëhet kryetar i komunës, pasi kryetar i rrethit ishte një, nënprefekt ishte Niman Staneci, (ndoshta ke dëgjuar për të) që të mund të kufizohej aktiviteti i kriminelëve. Ne e kemi zgjedhë Skënderin. Kur kanë hyrë partizanët, ai ka vazhduar. Një kohë ka qenë kryetar. Mbasi qëndroi një muaj a ma shumë kryetar, e emëruan komandant brigade. Për shkak të autoritetit, nuk kishte asnjë njollë dhe nuk kishte bërë thirrje për rezistencë, Abdullahu e cakton komandant brigade. Kur brigada shkon në Srem, ia marrin shokët e ia pushkatojnë. Këtë e marrin për ta dënuar në Maqedoni. Fillojnë shpifjet se ky gjoja i paska penguar partizanët. Këtë nuk kanë mundur ta faktojnë. Kush ka ardhur prej andej, ka thënë – jo. Mirëpo, megjithatë, e dënojnë me 12 vjet burg. Kur bëhet amnistia, ata që nuk i kishin duart me gjak, duhej të liroheshin. Maqedonasit nuk e lirojnë, madje ia bëjnë një klauzolë të rrejshme, që gjoja ky ka bashkëpunuar me Gestapon. Po ky nuk ka pasur lidhje me këtë. Në veprimtarinë e vet ka pasur qëndrim patriotik. Nuk ka qenë komunist, por nacionalist, porse jo ekstremist, si disa që rrahin gjoks e nuk janë fare patriotë. Ka qenë i matur.
Pas vrasjes së Abdullahut, si vazhduat?
– Me iniciativën e Selim Selimit ai tha mos më lini vetëm, mua më kooptoi me komitetin e rrethit. Derisa nuk u bënë votimet për deputetë, erdhën prej Vranjës dhe më thanë, ti nuk ke tregua vigjilencë klasore, ke lejuar armikun të veprojë, nuk ke reaguar si duhet ndaj tij. Thanë, nuk duhet të kesh mëshirë ndaj armikut. U thashë se nuk merrem me shpifje. Më thanë: kur ka vepruar armiku, ti s’ke pas gajle. Ka qenë një Zharku, serb i Preshevës, ai po thotë se unë duhet ta tërheq prej këtu. I thashë se nuk tërhiqen pa e kuptuar arsyen. Në Goli Otok u kishin pas thënë, ruaju prej tij, se ai Aliu asht njeri që vret.
U hap një kurs për revizor në Beograd, për kontabilitet. Shkova e kreva. Dhe menjëherë me morën në punë si shef i revizionit për Qarkun e Vranjës. Aty punova 5-6 muaj.
A ishe nën hetim, a të vëzhgonin?
– Më shumë punoja në terren. Në shtëpi shkoja rrallë. Një ditë baba kishte kuptuar se çka po zihej dhe po më thotë: Mos u sill këtejpari. Shko, hyr në çerdhen e tyre. Shko në Beograd, aty s’ke kontakt me kurrkënd. Edhe e kryen fakultetin, edhe e sheh punën. Në 1946 unë shkova në studime. Njëherë regjistrova Fakultetin Teknik për miniera. Pasi e njihja kontabilitetin, shkova pastaj në Fakultetin Ekonomik. Nuk arrita të siguroj bursë. Për shkaqe ekonomike, kthehem në shtëpi. Ai serbi që më kishte njohur, po më thotë një ditë: mos rri kështu pa punë. Ti nuk i njeh këta që po të ndjekin. Ai serbi, derisa ka ra Rankoviqi, e ka pasur të ndaluar të punojë në territorin e Preshevës. Ai kishte ndenjur shumë me shqiptarë dhe e dinte gjuhën shqipe. Mua më emëruan përgjegjës për bujqësi në Vranjë. Në vitin 1947 shkova përsëri në Beograd. Edhe një herë e regjistrova vitin më 1947. Për fat, kryetar i komitetit për shkolla të larta dhe universitete ka qenë Edin Pashanagiqi. Ky ka qenë në medrese, nga viti 1941 e këndej, si funksionar. Atij iu ankova për disa gjëra dhe i thashë se po duan të më qesin edhe nga shkolla edhe nga puna. Ai tha: jo, unë do të ta jap bursën më të madhe për shkollim. Ai ka qenë nga Novi Pazari. Kush ka shkuar të kërkojë bursë nga shqiptarët u ka dhënë bursë. Vazhdova studimet. Atje patëm bërë edhe disa protesta për hapjen e shkollave shqipe. Atje Murteza Luzha u ballafaqua me Dushan Mugoshën. Murtezai, siç e dini, kishte njërën këmbë të sëmurë dhe ajo pak i ka shërbyer si fat për të mos e burgosur aty. Pastaj e patën dërguar në Zagreb për shërim. Ai e pati bërë për dy pare Dushan Mugoshën. I tha në sy: Ne kemi luftuar për vetëvendosje, na keni tradhtuar.
Për fat, unë e kreva fakultetin. Si e kreva fakultetin, u ktheva në Prishtinë. Fran Berisha ishte kapiten. Me detyrë që unë të inkuadrohesha këtu, ta thërrisnim edhe Kadri Halimin, vjen edhe Frani dhe këtu të organizojmë punën për shkëputjen e Kosovës.
Në Universitetin e Beogradit, a kishte shumë studentë shqiptarë nga Kosova?
– Diku 300 studentë ishin.
Kush prej tyre angazhohej më shumë për çështjen kombëtare shqiptare?
– Kanë qenë Kadri Halimi, Fran Berisha… Nushi, Enver Dukagjini, ata janë burgosur. Ka pasur edhe mistrecë. Ka qenë Talat Gorani! Më së pari e burgosën Fran Berishën. E dënuan 12 vjet. Mbasandaj u burgos Rexho Mullaj (Rexho Mulliqi), pastaj e burgosën Kadri Halimin. Ata i burgosën veç e veç, atë vit. Mua më kanë burgos këtu në vitin 1952.
Me çfarë aktakuze?
– Për veprimtari kundër shtetit! Element destruktiv. Në ato tubimet, kush ka rënë në sy, është burgosur. Jemi munduar të mos biem në sy aq shumë. Na dërguan në Goli Otok. Ndodh këtu në Kosovë një tentativë për ta mbytur një turk në Prizren, për shkak të aktivitetit të tij për të hapur shkolla turke. E kanë marr atë turkun, kanë dashur ta mbysin në një pishinë me ujë. Aty i kanë arrestuar disa veta dhe i kanë dënuar nga gjashtë e shtatë vjet burg. Prej atyre që u burgosën ishte Masar Shporta. I çuan në Goli Otok. Frani, gjatë hetimeve, nuk më ka zbuluar, se do të më kishin dënuar shumë më tepër.
Gjatë asaj kohe a e takove Çerkezin?
– Po, atë e kam takuar në Goli Otok!
Si ishin kushtet në atë burg?
– Nuk ka qenë burg, por kamp i përqendrimit. Aty të kanë rrahur sa herë kanë dashur. Sa herë na kanë marrë në pyetje na kanë torturuar. Sa njeri ka mbetur pa hundë, pa vesh, pa këmbë. Sa njeriu ka varur veten, i gjenin të varur në mëngjes. Terror i vazhdueshëm. Tri herë më kanë akuzuar si agjent i Shqipërisë, mbasi kam qenë atje. Me urdhër, do boshnjak kanë qenë për të na torturuar me ujë, për të na ngulfatur. Aty ka pasur të burgosur gjillasistë e me Perëndimin, aty ka pasur enveristë, stalinistë, e ku ta di unë.
Një mëngjes, ka dal gazeta e murit, e kishin vendosur një foto të Enver Hoxhës me shall dhe një foto timen të vogël me shall. Kishin shkruar në gjoks: ‘Kosovski nacistiçki gollvajter”. Gollvajter i kanë quajtur ata njerëz që Hitleri i ka dërguar si emisarë nëpër shtetet që i ka pushtuar. Kinse mua më paskësh caktuar Enveri, që do të sundoj Kosovën. Kur e panë në atë gazetë, po thonë se ky qenka i rrezikshëm. Kishte stalinistë, informbyroistë. Edhe në dënimin e dytë janë munduar të më lidhin me veprimtari nacional-shoviniste. Ata e kanë pasur zakon, që të zezat e tyre t’ua vishnin të tjerëve. Prej kur jemi kthyer nga Beogradi, jemi munduar të krijojmë forca për realizmin e qëndrimeve të Konferencës së Bujanit. Dihet që janë munduar të na eliminojnë edhe historikisht, duke mohuar Bujanin. Këtë është munduar ta bëjë edhe Azem Vllasi, duke ndryshuar edhe flamurin. Ne u jemi përmbajtur vendimeve të Bujanit.
Në ngjarjet e Prizrenit ku ishit ju?
– Asokohe kam qenë në Preshevë.
A kishit informata për ato zhvillime? Si i keni përjetuar?
– Ato zhvillime na detyruan t’u ktheheshim parimeve për të cilat kishim luftuar. Ata që ishin anëtarë të Partisë, e humben të drejtën të quhen luftëtarë të lëvizjes çlirimtare. Këto brigadat partizane, që ishin këtu, për ne ato u kanë shërbyer interesave të huaja. Për ne mbeti idhull Shaban Polluzha. Abdullahu na ka mësuar që të mos u japim shkas të na bëjnë shkrumb e hi. Ashtu e rrezikonim edhe Shqipërinë. “Djali e ka kokën në rrezik” – thoshte Enver Hoxha, i cili e quante djalë Abdullahun, sepse ky ka qenë i ri. Ashtu e kanë thirrur në Komitetin Qendror, por nuk ka pranuar të shkojë. Është dashur ta merrte gradën kolonel para Fadilit, por nuk e ka pranuar. Jam sekretar komiteti dhe nuk dua më tepër vlerë sesa kam. Ka qenë njeri shumë modest.
Thuhet se ata që kanë reagua në Prizren, janë eliminuar menjëherë?
– Unë kam folur me Ramiz Cerrnicën. Ky ka thënë: Ne nuk kemi luftuar për kështu, por për realizimin e vendimeve të Konferencës së Bujanit. Ali Shukria e ka ndërprerë mbledhjen e Kuvendit në Prizren. Kur kanë dalë jashtë, Fadili i është afruar Ramizit dhe i ka thënë: Baca Ramiz, çka bëre? A po sheh që jemi të rrethuar nga forcat çetnike. Ramizi i thotë: Ne e kemi ditur kur jemi nisur në luftë për çlirim se mund ta humbim edhe kokën. A guxojmë ne të lejojmë të na e imponojnë këta vullnetin e tyre? Më mirë të vritemi, se të mbetet Kosova nën Serbi. Po më vjen keq që të kam ndihmuar për të shpëtuar në Livoç, i ka thënë Fadilit. Ramizit i ka dhënë përkrahje vetëm Halim Spahija. Ramizin e kanë dënuar, por ka intervenuar Fadili, se do ta kishin pushkatuar. Djalin e tij, Raifin, si më të ri, e kanë dënuar hiç më pak, por edhe Ramizit ia kanë dhënë 20 vjet burg. Halimin e kanë likuiduar. As varri nuk i dihet. Kam qenë me djalin e tij në burg.
Pasi erdhe në Prishtinë prej Beogradit, a fillove të punoje?
– Më së pari kam punuar në Preshevë një vit, si ekonomist në komunë.
Ata të sigurimit me kanë përcjellë përherë.
Vinin e më përcillnin kudo. Kishte provokime prej tyre kudo, në çdo hap. Kur e pashë që nuk po më lënë rehat, u largova. Pas pak erdha në Gjilan. Kërkohej aty një ekonomist. Aty në Gjilan fillova të afirmohesha. Fitova autoritet. Bëra edhe programe të zhvillimit. U kam ndihmuar në hartimin e programit për ndërtimin e fabrikës dhe të depove të cigareve. Ishte viti 1956-57.
Me Shqipërinë nuk kishim marrëdhënie fare?
– Atëherë fillova të punoja dhe të mos bija në sy. Shkoja në zyrë dhe nga zyra në shtëpi. Programe punoja, e pare s’merrja për to. Atëherë kur kanë filluar investimet, duheshin edhe më shumë programe. Programin e parë ekonomik për rrugën që kalon nëpër Velegllavë, e kam punuar unë.
Ajo rrugë kalon nëpër fshatin tonë…
– Për atë projekt Beogradi i kërkonte 700 mijë dinarë. Unë u thashë po jua bëj për 7 mijë dinarë. As nuk ua kam marrë fare ato pare. Ma pranuan menjëherë atë projekt. Në komision ka qenë një koleg imi i shkollës. Ai ka pyet, kush e ka bërë projektin dhe i kanë treguar se e ka bërë Ali Aliu. Ai më lëvdon dhe thotë se nuk ka çka diskutohet për të. Mbasandaj e kam bërë projektin për fabrikën e tepihëve, për sistemin e klimave, e më pas edhe për furnizimin fshatrave me traktorë. Në vitin 1960, u hap Instituti i Projektimeve në Prishtinë. Mua me thirrën aty menjëherë. Aty punoja me normë. Askush nuk ma kalonte. Mund t’i bëja gjashtë projekte, por me ligj ishte vetëm tre në muaj. Ashtu mbërrita rrogën 100 mijë dinarë në muaj. U hap shkolla e lartë dhe aty më zgjodhën asistent. Ndërkohë, e ndanë sektorin ekonomik. Ishte një hungarez, doktor i ekonomisë. Isha asistent i Niko Dautoviqit prej Beogradit. Atëherë nuk ka pasur nevojë për magjistraturë, por më morën drejtpërdrejt. Ai profesori m’i dha disa tema për të mbajtur unë mësimin, dhe më tha që të mos vinte ai nga Beogradi dhe kështu do të mësoja e do ta kryeja krejt doktoratën. Unë shkova nëpër krejt Kosovën. Mora krejt shënimet nëpër të gjitha komunat. Shënimin e fundit e kam marrë në Podujevë. Në bazë të atyre shënimeve, punova temën e doktoratës; “Për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”. E kishte gjetur atë material Sherif Kuka, i cili mbasandaj ka qenë punëtor i Institutit. Ai ka dashur të më angazhonte në ekipin e tij.
Në atë kohë fillon aksioni i paraburgosjes. U largova prej aty dhe u emërova zëvendësdrejtor i urbanizmit. Më 25 janar u detyrova të ikja nga Prishtina, nga frika se po më burgosnin.
Ku shkuat?
– Kam tentuar të kaloja kufirin, të ikja andej, por ishte borë e madhe. Kam shkua në Deçan. Kam shkua në Budakovë, në Slivovë dhe prej andej kam shkuar në Preshevë dhe kam ndenjur nëpër disa katunde.
Ndërkohë, që punove në Gjilan e në Prishtinë, a kishit kontakte me Kadriun e më këta shokët?
– Po!
A ia ndryshuat emrin organizatës, apo si e quanit atë?
– Ajo organizatë ka pasur për qëllim të vazhdojë lëvizja. Ajo duhej të ishte vazhdimësi e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që nga Lidhja e Prizrenit. Në këtë vijë i kemi bërë diskutimet. Meqenëse në atë kohë nuk ka pasur tjetër shanse më të volitshme se rehabilitimi i Bujanit, këtë e kemi pasur në program. Ky ishte qëllimi ynë kryesor.
Me cilat mjete, propagandistike, teorike…?
– Me formimin e njësive nëpër krejt territorin e Kosovës. Në Preshevë kemi pas filluar t’i formonim bazat, edhe në Kumanovë. Kemi dashur të shkonim në Shkup e në Tetovë. Kishim bërë organizim në Mitrovicë e në Prishtinë, në Vushtrri…
Kjo ishte lëvizje kombëtare…?
– Kjo është quajtur Lëvizja Kombëtare për Çlirimin dhe Bashkimin e Trojeve Shqiptare.
Si ishte struktura organizative? A ka qenë dikush kryetar, komandant?
– Ka qenë Këshilli Organizativ. Në iniciativë kemi qenë disa prej nesh. Ka qenë Ramadani, Kadriu, unë, Zenel Hajrizi (ka vdekur, ka qenë plak), një Metë Gjekvaroshi, Hoxha i Gjilanit, mulla Idrizi.
Sa veta?
– Kanë qenë nëntë veta!
Kryetar kush ka qenë?
– Kryetar i përkohshëm ka qenë Kadriu. Është paraparë të ketë edhe femra në atë Këshill. E kanë pas caktuar Hyrije Hanën, por ajo nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje. Unë ika. Vendosëm të caktonim një mbledhje në Malësinë e Karadakut. Disa thoshin ta mbanim në Raincë, pasi aty ka pasur gjithmonë lëvizje patriotike. Disa menduam për Malësi, sepse andej ka pasur më pak lëvizje të policisë. Dikush të nisej nga Gjilani, dikush nga Presheva, por të takoheshim aty. U formuan grupet. Kur të mbahet Kongresi, të vijnë delegatë nga Maqedonia, nga Mali i Zi e nga Presheva, dhe atëherë ata ta zgjedhin udhëheqjen. Të përgatitet statuti, programi, struktura. E dërguam Ramadan Rexhën në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe ata na e dhanë përkrahjen. Edhe këta që shkuan në Shqipëri, edhe ata morën përkrahjen.
Kush shkoi në Shqipëri?
– Një kushëri i Mehmet Hajrizit.
A kanë qenë Kadri Halimi e Ramadan Rexha?
– Po, po, ka qenë edhe Ramadan Rexha.
A ke qenë ti në bisedë?
– Unë nuk kam ditë fare që është Ramadan Rexha për atje.
Ramadani Rexha thotë kështu: jemi çuar e kemi ardhur prej atje në Cerrnicë. Aty baca Ramiz na e ka tërhequr vërejtjen, ju, që po mendoni të bëni ashtu, jeni duke rënë në sy tepër.
A ke marrë pjesë në ndonjë bisedë kur Ramizi jua ka tërhequr vërejtjen?
– Po, një herë isha në bisedë me Kadriun, kur na ka thënë se ju paska shti në lojë Ramadani. Ai është eksponuar shumë dhe ishte shumë euforik! Jam habitur kur e kam parë Ramadanin dhe nuk e kam ditur që ka qenë konspiracion.
Atij ia paska pas tërhequr vërejtjen baca Ramiz në Cerrnicë. Ju ka thënë se jeni duke rënë në sy shumë?
– Ai ka thënë se jeni duke bërë punë pa sukses. Ka thënë, a je në punë – po? Çka po doni?
Si ju ranë juve në gjurmë?
– Ramadani donte të bënte lidhje me Shqipëri në çdo mënyrë.
Zenel Hajrizi ka qenë burrë shumë i rëndë. Mua më njoftuan se kemi kontaktuar me Aziz Zhilivodën, po nuk ishte ashtu!
Ai ishte në Shqipëri! Dikush kishte thënë se ai paska ardhur në këto territore. Mua me punoi mendja! Këtë nuk e ka thënë ai, por dikush ia ka thënë këtij prej UDB-së.
Kur po bie në burg, po më thonë serbisht: “Ti si bio onaj ko je drzhao vezu sa Azizom Zilivodom” (ti ke qenë ai që ke mbajtur lidhjet me Aziz Zhilivodën). Po më thonë serbisht: Të kanë gjetur ty si intelektual, e ti në të vërtetë qenke budalla. A sheh kush është Zhilivoda? Më shau! Po thotë për mua, serbisht; ovaj se pravi kao da ne zna nishta ko je Zhilivoda? (ai po shtiret sikur as nuk e di çka e kush është Zhilivoda). Ramadan Rexha më nxori nga situata. Ai tha ndoshta ky asnjëherë as nuk e ka parë atë dhe as nuk e ka përmendur. Më nxori nga situata, se deshën të më prishnin.
Hajt, hajt, mandej kam shkuar në Shqipëri. Në Tiranë e kam lypur Aziz Zhilivodën, pas një kohe. Ai më thotë nuk kam qenë atëherë atje dhe nga 1956 e kam kaluar kufirin. Dikush nga ajo anë ka pasur lidhje dhe ai e ka sjellë dëshmitarin. Kanë qenë të mashtruar, naivë, njerëz të ndershëm.
Zakonisht, UDB-a përmes njërit e kap fillin. Pastaj me presion e shantazhe nxjerr të tjerët. A keni rënë ju masivisht?
– Po, masivisht!
Domethënë, ju kanë pasur në evidencë? Edhe nën mbikëqyrje?
– Po, po! Na kanë burgosur menjëherë në masë!
Sa i patën burgosur aty?
– Janë burgosur nja katërdhjetë-pesëdhjetë veta. Në grup kemi dalë nja tridhjetë në gjykim. Nuk janë zbuluar krejt. Për shembull, unë i kam pasur edhe grupet në Miratoc.
A keni bërë pyetje ndonjëherë, nga ka rrjedhë ky dekonspirim?
– Me bisedua për këtë, lindnin ngatërresa. Thoshim, kur të dalim, do të shohim. Kur po del në liri, po ikën secili udhës së vet. Dekonspirimi ka qenë këndej, nga territori ynë. Zeneli ka qenë burrë i ndershëm.
A ju ka spiunuar dikush ju personalisht?
– Për si na kanë zënë, e dimë, por ai njeri ka vdekur, edhe aty e ka mbuluar dheu.
Na tregoni, më vonë, qysh keni kaluar në burg? Fehmiu?
– Fehmi Bajramin, gabimisht e ka dhënë një hoxhë (ka treguar për të). Ka shkuar e është lëvduar, se e kam pasur Aliun kështu e kështu. U lëvdua atje ku nuk duhej fare. Tani ai që ka pasur të na kallëzojë, që i ka treguar atij, i ka thënë Fevziut, ne e dimë. Fevziu nuk e ka ditur si quhem. I ka thënë, ma jep Aliun, se unë e futi ku të dua. Mirëpo, mbasandaj e kanë burgosur tjetrin. Ai ka shkuar, një dajë i babës, stërnip a ku ta di unë, i ka dhënë garanci se nuk do t’i ngucin, vetëm le të dorëzohet Aliu. Fehmiu, kur e sheh kështu, më thotë: a e di ti që je i caktuar komandant, ne kemi parë emërimin tënd prej Enver Hoxhës. Kur i thotë, që je i emëruar kështu, qohet ai e përshëndet dhe simulon kinse po ia heq një gradë, krejt shaka. Po thotë, ta hoqën një gradë. Po edhe për së dyti, ta heq edhe një gradë. Mos, bre, se nuk po ma lë asnjë gradë. Ky Fehmiu mbasandaj ka hyrë në nevojtore dhe e ka trenuar, kinse po do ta vrasë. Krejt këto i ka bërë si hajgare Fehmiu…
Atë grupin që formove në Preshevë? Kush ka qenë në atë dhjetëshen?
– E ka udhëhequr vëllai, Nuredini.
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon) /Epoka e re/