
Në gusht vendoset për transferimin e Mbappes në Real
Kylian Mbappe ka qenë dhe mbetet emri i parë në listën e blerjeve të Real Madridit. Klubi “Los Blancos” ndjek prej kohësh sulmuesin francez që nga ana e tij nuk i ka fshehur sinjalet e dashurisë, sidomos në drejtim të trajnerit Zinedine Zidane.
Nëse në merkaton e kësaj vere transferimi në La Liga i talentit të Paris SG është në limitet e të pamundurës, gjithçka mund të mbyllet vitin e ardhshëm. Për të mësuar nëse kjo do të ndodhë duhet pritur vetëm pak muaj.
Sipas së përditshmes madrilene “AS”, Reali mund të arrijë një marrëveshje paraprake për sezonin e ardhshëm, nëse sulmuesi kampion bote nuk e rinovon kontratën e tij me klubin parisien brenda 23 gushtit. Pas kësaj date hyn në fuqi klauzola që i lejon Kylian Mbappes të largohet në verën e vitit të ardhshëm. Deri në këtë moment ky duket se është edhe qëllimi i futbollistit, që nuk ka pranuar asnjë ofertë për zgjatjen e kontratës me Paris SG. Nga ana tjetër, edhe Real Madridi po punon shumë në fshehtësi për ta bindur plotësisht sulmuesin që të transferohet sa më shpejt në La Liga.