Në Hagë nis dëshmia e dëshmitarit të 10-të kundër Pjetër Shalës
Në Hagë ka nisur dëgjimi i dëshmisë së dëshmitarit të dhjetë kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për ta intervistuar dëshmitarin, Zyra e Prokurorisë së Specializuar ka kërkuar tri orë kohë.
Po ashtu, gjatë ditës, tre dëshmitarë pritet të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes.
Prokurorët e Speciales kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje.
Në nisje të gjykimit ndaj tij në Hagë, Shala ka theksuar se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.