NË HAMBURG U MBAJT “E DIELA POETIKE”
Shënim kulturor nga Hamburgu
Javën që lamë pas në Hamburg është organizuar një takim kulturor, përgatitur dhe ideuar nga Sadbere Emshiu-Karimani, pedagoge në shkollën e Veddelit në Hamburg, njëherësh nëpunëse në Ministrinë e Arsimimit të Hamburgut.
Me këtë organizim ajo synon që takimet e tilla kulturore në të ardhmen të shpeshtohen, së paku çdo tre muaj.
Zonja Sadbere këtë herë, së bashku me Shoqatën e Grave “Alb Universum” nga Berlini, këtë takim e quajtën “E diela poetike”. Në këtë takim kishin ftuar poeten nga Tirana, zonjën Majlinda Zorba dhe poetin Arif Molliqi nga Kosova që jeton në Hamburg.
Në një ambient të ngrohtë, të përgatitur nga vëllezërit Ali dhe Ymërli Gërdellaj, përveç krijuesve, morën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të poezisë, disa prej anëtarëve të Shoqatës “Alb Universum” nga Berlini, studentë gjermanë dhe qytetarë të komunitetit turq që jetojnë në Hamburg. Ishte i pranishëm edhe kryetari i Shoqatës “Gjermano-Shqiptare” në Hamburg, Adreas Hemming, me bashkëpunëtorë.
Zonja Sadbere me nikoqirët kishin përgatitur edhe një koktej rasti për pjesëmarrësit me ushqime tradicionale dhe internacionale.
Në fillim fjalën e mori zonja Sadbere, e cila shpjegoi idenë dhe qëllimin e këtyre takimeve me lexime poetike. “Këtë herë kemi ftuar dy krijues, zonjën Majlinda Zorba, me librin e saj të fundit ‘Kalorësi i bardhë’ dhe Arif Molliqin, me librin ‘Si kripën të kam dashtë’. Këto takime dhe lexime poetike, me titull ‘E diela poetike’, mendojmë t’i çojmë edhe më tutje, që në të ardhmen të organizohen më shpesh, së paku çdo tre muaj. Për fillim kemi ftuar dy krijues të cilët nuk do t’i lexojnë poezitë e veta, por të njëri-tjetrit”, tha zonja Sadbere, e cila fjalën ia dha poetes Majlinda.
Majlida Zorba për lexim dhe recitim kishte zgjedhur disa poezi të Molliqit. Leximi dhe recitimi i poezive të zgjedhura nga libri “Si kripën të kam dashtë” u priten mirë dhe lanë mbresa tek të pranishmit, kurse gjermano-folësve ua përkthente zonja Sadbere.
Ndërkaq poezitë dhe një tregim të Majlindës i lexoi zotëri Molliqi.
Në të dielën poetike, përveç leximit të poezive që u bënë nga autorët, të pranishmit shkëmbyen mendime rreth poezive të lexuara dhe rreth përmbajtjeve të tyre. Pastaj autorët folën për jetën e tyre, për rrugën e gjatë dhe të vështirë deri te botimi i një libri çfarëdo qoftë ai. Në përfundim të takimit u tha se organizimet e tilla janë shumë të nevojshme për mërgatën tonë.