Në Has u vunë pllaka përkujtimore në dy shtëpi, të cilat ishin bazat e para të UÇK-së

06 shtator 2020 | 00:19

Në Nikoliq dhe Vlahën të Hasit të pjesës administrative të Shqipërisë, të shtunën, më 5 shtator, u vunë pllaka përkujtimore në dy shtëpi, të cilat ishin bazat e para të UÇK-së.

Në Nikoliq, në shtëpinë e Sali Jakut dhe në Vlahën, në shtëpinë e Alush Gradicës. Këto dy shtëpi, që në ditët e para, ishin shndërruar në baza të fuqishme të krerëve dhe ushtarëve të UÇK- së, disa prej të cilëve sot janë dëshmorë të atdheut. Në mesin e tyre edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan Haradinaj, Bekim Berisha – Abeja, Ismet Jashari-Kumanova, Agim Çela etj. Madje dy djem të familjes së Sali Jakut, në shenjë nderimi, sot mbajnë emrat e Adem Jasharit e Bekim Berishës, u tha gjatë ceremonisë.

Vendosja e këtyre pllakave përkujtimore u bë me një ceremoni madhështore, me një pjesëmarrje masive të banorëve të Hasit, të të dyja anëve, si dhe të shumë ish ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe Kadri Veseli, i cili këto dy shtëpi i kishte pasur konaqe të sigurta gjatë periudhës së luftës.

Manifestimet, të cilat i udhëhoqi Dr.Nexhat Çoçaj, u organizuan nga OVL e UÇK-së si ajo qendrore, ashtu edhe ajo e degës së Hasit.

Gjatë këtij manifestimi u tha se Hasi dhe hasjanët luftës për liri të Kosovës i kanë dhënë shumë, duke u bërë shembull se si duhet punuar dhe sakrifikuar për lirinë e atdheut.

Gjatë luftës së UÇK-së, Hasi i dha dhjetëra dëshmorë dhe qindra martirë, gjaku i të cilëve u bë gurthemel i fuqishëm i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

(Besim Muhadri)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja e njohur Luana Vjollca është në një lidhje prej…