Në “Hivzi Sulejmani” përurohen dy libra të Driton Gashit
Në sallën e madhe të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë të enjten janë përuruar dy libra të autorit Driton Gashi. I rritur, i formuar dhe me vendqëndrim në Gjermani, Gashi, sipas drejtoreshës së bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Naime Beqiraj, brenda një periudhe të shkurtër kohore i publikoi dy vepra pak a shumë të ndryshme njëra nga tjetra: njëri është libër autobiografik-eseistik, tjetri një antologji autoriale nga leximi i tij lirik i poezisë shqipe. “I njohur nga veprimtaritë e tij të ndryshme, qoftë si përkthyes nga shqipja në gjermanisht, pas shkrimeve në gazeta e revista të ndryshme gjermane, hulumtimeve shkencore gjatë studimeve në gjuhësi, pedagogji dhe drejtësi, autori, siç e potencon vetë, kishte dëshirë t’i ikte pak zhargonit më të ftohtë dhe më racional gazetaresk, akademik dhe shkencor. Mërgimtari merr me vete atdheun në vendin e ri. Emocionet e fëmijërisë, këngët, mallin për familjarët, ushqimet e preferuara. Dritoni këtë libër nuk e ka shkruar vetëm për vete, por ne të gjithë e gjejmë veten aty. Lexuesi gjerman do ta kuptojë më mirë pasi ta ketë lexuar”, tha publicisti Pal Shtufi.
Ndërsa për antologjinë e poezisë bashkëkohore foli Rushit Ismajli. Ai vuri në dukje temat dhe motivet e përbashkëta të dhjetë autorëve të përfshirë si, p.sh., mërgimin, mallin për vendlindjen, bukuritë e atdheut dhe mirënjohja për pritjen e mbështetjen e popullit gjerman ndaj kombit tonë. “Antologjia mëton ta përçojë te lexuesi gjerman veçantinë dhe emocionin e poezisë shqipe”, tha Rushit Ismajli.
Autori, duke qenë pjesë e artit muzikor, interpretoi dhe këndoi me kitarë pjesë nga trashëgimia muzikore shqiptare, ndërsa para një auditori të përzgjedhur pjesë muzikore në piano ekzekutoi Shaban Ratkoceri.