Në Hong Kong mbahen zgjedhjet lokale
Në Hong Kong po mbahen zgjedhjet lokale, ku deri më tani është shënuar numër rekord i personave që kanë votuar.
Këto zgjedhje shihen si barometër për mbështetjen e protestave antiqeveritare, që po mbahen në këtë qytet gjysmë-autonom në këto muajt e fundit.
Vendvotimet janë hapur më 24 nëntor dhe qytetarët do të votojnë për të zgjedhur 452 përfaqësues të qytetit, që ka 18 këshilla të qarqeve.
Edhe pse këshillat kanë pak fuqi, një shfaqje e fortë e mbështetjes për opozitën do të tregonte që pjesa më e madhe e publikut mbështet lëvizjen pro-demokracisë dhe protestat, që janë duke u bërë gjithnjë e më të dhunshme.
Të dhënat qeveritare tregojnë se mbi 1.5 milion persona kanë votuar deri në orën 13:30 sipas kohës lokale, teksa kanë mbetur edhe disa orë që të mbyllen vendvotimet. Dalja në zgjedhje është më e lartë, nëse krahasohet me zgjedhjet e katër vjetëve më parë, ku kishin votuar 1,4 milion persona.
Udhëheqësit në Hong Kong dhe qeveria në Pekin u kanë bërë thirrje votuesve që të kundërshtojnë lëvizjen pro-demokracisë.
Udhëheqësja e qytetit, Carrie Lam, e cila është pro-Pekinit ka votuar më herët gjatë ditës. Ajo ka thënë se organizimi i zgjedhjeve ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për shkak të trazirave, por shtoi se votimet do të jenë pjesërisht paqësore dhe të qetë, falë punës së personelit të sigurisë, raporton “Rel”.
Në Hong Kong për gjashtë muaj me radhë janë organizuar protesta anti-qeveritare, ku protestuesit po shprehin zemërimin e tyre, lidhur me atë që ata e vlerësojnë si përpjekje të Pekinit për të kufizuar autonominë e Hong Kongit.
Ministria e Jashtme e Kinës më 18 nëntor ka akuzuar protestuesit se janë “kriminelë që ushtrojnë dhunë kundër civilëve”.