Në IML u dogjën dy zyrat kryesore, e ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendësdrejtorit aktual Ditor Halitit
Një pamje me duart që kapin kokën e ish-drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliut, tregon më së miri dëmin që me gjasë është shkaktuar mëngjesin e kësaj të marte pasi u dogj një pjesë e Institutit, që është brenda objektit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Se çfarë e ka rrëmbyer flaka akoma nuk dihet saktësisht, me Policinë e Kosovës që i ka treguar Albanian Post-it se po bën ekzaminimet e para për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Udhëheqësi i ekipit të zjarrfikësve, Malë Gashi, njoftoi se zjarrin e lokalizuan, por vetëm pasi u dogj një zyrë dhe me vete mori “disa letra”.
Se a ishin “këto letra” dëshmi për ndonjë rast të rëndësishëm, dosje për krime lufte që ruhen në IML, apo krejtësisht të parëndësishme do të kuptohet vetëm pas hetimeve preliminare.
Ministria e Drejtësisë në anën tjetër nën të cilën funksionon IML si institucion ka dalur me një sqarim të mangët, duke shkruar në llogarinë e ministrisë në Facebook se “zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet”.
Por, Albanian Post me burime brenda Institutit ka kuptuar se zyrat që janë djegur nga flakët janë ato të ish-drejtorit Arsim Gerxhaliu dhe zëvendës-drejtorit aktual Ditor Halitit.
Këto dy zyra përbëjnë edhe dy dhomat kryesore brenda institutit.
Kjo s’është hera e parë që po digjet një pjesë e IML-së në këtë vit.
Në muajin mars objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët gjithashtu.
Atëherë dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik, por kurrë s’u vërtetua.
Në IML ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve dhe rasteve që janë nën hetim.
Këto s’janë parregullsitë e vetme me këtë institut.
Në po të njëjtin, për një kohë të gjatë u tha se kanë humbur nga dhoma e dëshmive mbetjet e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje që vdiq në rrethana të dyshimta në burg e për të cilin LVV thoshte se “e ka vrarë pushteti”.
Disa media të Kosovës kanë raportuar këtë të martë se ka tash e dy vjet që Ministria e Drejtësisë nuk po nënshkruan kontratë për aparaturën kundër zjarrit në institucion.
Kështu, mbetet akoma e pakuptueshme se kush mban përgjegjësinë e kujdesit që të mos ndodhin rate të tilla, përveç përgjegjësisë politike që i takon Ministrisë së Drejtësisë.
A lidhet zjarri me zhvillimet e fundit?
Të hënën, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u thirr nga Prokuroria Speciale për të ofruar dëshmitë që ajo thoshte se i kishte për “vrasësit e Astrit Deharit”.
Haxhiu nga pozita e ministres kishte deklaruar se dihet fare mirë kush e ka kryer krimin dhe se provat ekzistojnë, thjesht mungon vullneti i sistemit të drejtësisë për ta zbardhur ngjarjen.
Ndryshe nga sa kishte shkruar publikisht, e thirrur për të ofruar dëshmitë në prokurori, ajo s’ka pasur asgjë për të thënë, përveç përsëritjes së dyshimeve të saja për rastin, për të cilat tha se “përbëjnë prova”.
Nga opozita kanë thënë se po presion hetimet për të kuptuar se çfarë ndodhi, por s’kanë hezituar ta bëjnë një ndërlidhje mes situatës së sotme dhe intervistës së djeshme të ministres.
“Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, shkroi Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës.