Në Institutin Albanologjik u bë përurimi i katër veprave të Ajet Shalës
Të premten në Institutin Albanologjik në Prishtinë u bë përurimi i katër veprave të shkrimtarit dhe poetit Ajet Shala.
“Dinastia” roman biografik, “Deti i varreve” poemë, “Vatra e Fjalës” kritikë, “Mall për Çamërinë” poezi (bashkëautor Namik Selmani e Ajet Shala).
Në përurimin e këtyre librave folën Prend Buzhala kritik, Namik Selmani shkrimtar, dr. Bedri Tahiri publicist, prof. dr. Begzad Baliu albanolog, Mr. Mevlyde Mezini-Saraçi veprimtare, prof. dr. Faton Krasniqi krijues letrar.
Shkrimtari Bedri Tahiri ka thënë se autori Ajet Shala tashmë ka krijuar profilin e vet krijues, me një stil e narracion specifik.
“Ajet Shala, ditën e 26 janarit 2024, pati disa suksese: Datëlindjen e 65-të, përkatësisht pensionimin, që e kurorëzoi me një vepër madhore, me kryeveprën ‘DINASTIA’. DINASTIA është një libër i veçantë. Një monografi, e ndërtuar mbi një bashkëbisedim të gjatë, kohor e përmbajtjesor, të autorit me babanë e tij, me Habib Bajram Shalën (shpirti i të cilit vajti në amshim pak pa e pritur këtë ditë), që mbi supe bart një shekull jetë e i cili lidhet me breza të tërë deri tek i pari i tyre, Zylfiu i krishterë, përkatësisht tre bijtë e tij: Hysku, Kurrulli dhe Guci”, ka deklaruar Tahiri.
Albanologu Begzad Baliu ka theksuar se duke e përcjellë krijimtarinë e pasur dhe të vëllimshme letrare të Ajet Shalës, ka vënë re disa përbërës historiko-letrarë të përhershëm, si tema dhe motive, prej të cilave nuk është ‘liruar’ asnjëherë.
“Në radhë të parë nuk është ‘liruar’ nga tema e dy luftërave të Drenicës (1945) dhe (1999) dhe nga Tragjedia e Tivarit (1945), në të cilën ishin përfshirë djemtë më të mirë të gjithë Kosovës. Kjo temë e pati ngjizur edhe fillimin e miqësisë sonë”, ka pohuar ai.
Profesor Baliu ka thënë se poema “Deti i varreve” është një poemë e madhe letrare brenda së cilës janë strukturuar të gjithë përbërësit historikë, letrarë e artistikë të prirjeve dhe sprovave të autorit në fushë të letërsisë.
Autori Ajet Shala ka falënderuar të pranishmit, duke theksuar se sot është pjesë e një emocioni të madh pas vlerësimeve që mori nga miqtë e tij krijues për veprimtarinë e tij letrare.
“Ju faleminderit të gjithëve për kohën, përkushtimin dhe vlerësimet tuaja dedikuar vargut tim poetik. Sigurisht që pa juve unë s’do isha ky që jam sot, së paku, s’do ndihesha kaq krenar, siç më bëtë ju me vlerësimet tuaja”, ka thënë autori.