Në Institutin Riinvest profesorët nga Tirana promovojnë tre libra për efektet post-Covid dhe luftën në Ukrainë

08 shtator 2022 | 20:29

Profesorët dhe akademikët nga Tirana, Anastas Angjeli dhe Adrian Civici, kanë promovuar tre libra me analiza të thelluara shkencore, studime, politika e reagimeve të shteteve e qeverive lidhur me efektet dhe pasojat dhe rrugëzgjidhjet si përgjigje ndaj Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.

Promovimi i këtyre librave u bë në Institutin Riinvest në Prishtinë. Bashkëthemeluesi i këtij Instituti, profesor Muhamet Mustafa, me këtë rast tha se këto libra flasin në detaje për menaxhimin e krizave, duke e quajtur këtë periudhë të vështirë për të gjitha shtetet.

Sipas Mustafës, Kosova ka inflacionin më të lartë në rajon prej 20%, gjithashtu edhe ngecje në investime, për çka edhe po ndikon në rritjen ekonomike.

“Tre librat që kanë botuar profesor Angjeli dhe Civici paraqesin ndjekje të situatave që do të ballafaqohemi vitet në vijim sa i përket edhe Covidit. Askush nuk do të mund t’i ikë ndikimit të këtyre krizave”.

“Këto libra tregojnë për menaxhimin e krizave. Gjithashtu ne do të nënshkruajmë bashkëpunim ndërmjet Riinvest dhe Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë. Për Shqipërinë dhe mbarë botën koha kovidiane ishte një periudhë shumë e vështirë. Kriza energjetike inflacioni, rritja e çmimeve shtoi edhe më shumë vështirësitë”.

“Rritja ekonomike, sipas Qeverisë, është 4.5%. Por inflacioni në Kosovë është 20%. Ne jemi ndër vendet që e kemi inflacionin më të lartë. Kemi edhe ngecje në investime publike që ka ndikim në uljen ekonomike”, tha profesor Mustafa.

Autori i këtyre librave, profesori nga Universiteti Mesdhetar në Tiranë, Anastas Angjeli, tha se pandemia ka ndikuar në ekonominë edhe të vendeve më të zhvilluara.

Sipas tij, ndonëse Qeveritë kanë marrë masa, është e qartë se ekonomia po tronditet e çmimet e mallrave po rriten me shpejtësi të madhe.

Madje ai thotë se parashikohet që dimri do të jetë më i vështirë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore (LDB). Prandaj thotë se është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet qeverive në përballimin e situatave siç është kriza me energjinë.

“Sot po prezantojnë tre librat për një problematikë shqetësuese jo vetëm për ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për ekonomitë globale. Në mbarë botën u shfaqë fenomeni i Covidit dhe pasojat që filluan të ndjeheshin ishte kush do të ishte prioritet njeriu apo ekonomia. Kur filloi shfaqja e pandemisë diskutuam që pasojat që po vinin do të ishin të mëdha nga pikëpamja edhe ekonomike”.

“Ne shkruam dy libra ‘Ethet e Krizës’. Ndoqëm më shumë se 6 muaj dhe dolëm me prezantimit e librit të parë. U duk që qëndrimet e Qeverisë binin ndesh me ekonominë e tregut. Sot vazhdojmë të luftojmë me këtë armik te padukshëm. Tani jemi ne prag të një sesioni të ri ekonomik. Mesazhi i parë është që ekonomia po tronditet, çmimet e mallrave po rriten me shpejtësi të madhe. Parashikohet që dimri do të jetë më i vështirë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimi midis qeverive ka qenë shumë i mirë për përballimin e situatave siç është kriza me energjinë tani”.

Autori tjetër i këtyre librave, rektori i Universitetit Mesdhetar në Tiranë, Adrian Civici, sqaroi se tre librat tregojnë se çka ka ndodhur për dy vjet në ekonomi si shkak i pandemisë.

Edhe ai tha se është i domosdoshëm bashkëpunim Kosovë-Shqipëri në këtë fazë të kapërcimit të inflacionit, raporton EO.

“Krizat janë një oportunitet sepse është fatkeqësi që vjen. Në këto 3 vjet kemi përjetuar ndryshime drastike. Shekulli 21 po përfundon me Coronavirusin. Ne e kemi zor të perceptojmë këtë pjesë të ndryshimit çdo ditë. Duke filluar nga efektet e tërmetit erdhi edhe Coronavirusi”.

“Tani konflikti edhe në Ukrainë. Në gjithë këtë vorbulle edhe ne prekemi çdo ditë. Tre librat tregojnë çka ka ndodhur për gjatë 2 vjetëve në ekonomi. Edhe në libër ka shumë analiza që janë bërë me dinamikat e tregut të punës”.

“Për shkak të ndryshimeve dhe evoluimit që sollën këto dy kriza mund të kërkohen instrumente të tjerë për ta përballuar. Ka ardhur kohë të shihet se çfarë ofron ekonomia e Kosovës dhe Shqipërisë. Ne mund të kemi trashëguar një hartë të dy vendeve, por problemi është si mund t’i bashkojmë se çka na jep ky burim në fushën energjetike dhe minerale. Problemi i inflacionit trajtohet si fenomen monetar. Inflacion nuk ulet, por stopon aty ku është”.

Në fund të këtij promovimi Sejdi Osmani, kryetar i Bordit të Institutit Riinvest dhe Adrian Civici, rektor i Universitetit Mesdhetar në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Kosovës, Ballkani ka kaluar në epërsi ndaj Clujit…