Në Istog s’ka të prekur me COVID-19, rastet e dyshuara dolën negative
Istogu deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virusin COVID-19. Madje, nga kjo komunë po thonë se nuk ka as raste të dyshuara.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Istogut, Mujë Osmanaj, ka thënë se më herët ka pasur raste të dyshuara, por ato kanë rezultuar negative.
“Ka pasur më herët shqetësime, por nuk ka dalë asnjë rast pozitiv. Dy familje që kanë qenë të izoluara për shkak të kontaktit me vajzën nga Klina e cila ka dalë pozitive, nuk kanë pasur simptoma dhe e kanë kaluar kohën e izolimit 14-ditor”, ka thënë Osmanaj.
Osmanaj ka theksuar se ka persona që kanë ardhur nga jashtë, por po qëndrojnë të vetizoluar.
“Ka qytetarë që kanë ardhur nga jashtë, por po qëndrojnë të izoluar. Ka edhe prej konvikteve që kanë ardhur, ku kanë qenë të karantinuar, edhe ata po qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, situata në Istog është nën kontroll”, ka deklaruar ai për gazetën “Express”.
I pari i Shëndetësisë së Istogut ka bërë të ditur se sot kanë pranuar furnizime nga Ministria e Shëndetësisë për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Ndërkohë, numri i të prekurve me virusin COVID-19 në Kosovë, mbrëmjen e së dielës ka shkuar në 94.
Tanimë janë kryer më shumë se 1 mijë testime, ndërsa rezultojnë 94 persona të prekur me virusin Covid-19 në Kosovë.
Shumica e vendeve ku ka të prekur me virus janë izoluar me vendim të autoriteteve.
Komuna e Malishevës ka më së shumti të prekur. Pasi u konfirmua edhe një rast kontakti nga fshati Kijevë i kësaj komune, numri total i të prekurve ka shkuar në 33.
Pas kësaj komuna me më së shumti të prekur është Gjilani me 15 persona.
Në kryeqytet ditët e fundit po shtohen numrat e të prekurve. Tani janë 14 të prekur gjithsej, ndërkohë në komunën e Vitisë janë 7 të prekur. Vushtrria dhe Gjakova kanë nga 6 të prekur ndërsa Podujeva 4. Në këtë komunë një person ka ndërruar jetë pas u infektua, ndërsa një tjetër nga Podujeva është shëruar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se komuna e Klinës prej datës 6 prill nuk do të jetë më në karantinë. Kjo ishte ndër komunat e para kur u shfaq një person i prekur me koronavirus. Por, një femër që kishte ardhur nga Italia ka mbetur e vetmja që ka rezultuar e prekur.
Ndërkohë, në komunat Ferizaj, Obiliq, Prizren, Lipjan, Shtime dhe Pejë ka vetëm nga një rast të të prekurve me virusin Covid-19.