Në Izrael mbahen zgjedhjet e përgjithshme
Në Izrael po mbahen zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat kryeministri aktual, Benjamin Netanyahu, udhëheqës i partisë së krahut të djathtë Likud, kërkon mandatin e pestë.
Megjithatë, Netanyahu përballet me akuzat për korrupsion dhe një sfidë të fuqishme nga gjenerali i pensionuar, Benny Gantz.
Gantz, udhëheqës i aleancës së qendrës e Kaltërta dhe e Bardha, po e sfidon Netanyahun në çështjet kyçe të sigurisë, ndërsa ka premtuar një politikë më të pastër.
Rezultatet e para priten shumë shpejt pasi të mbyllen vendvotimet në orën 10 të mbrëmjes, sipas kohës lokale.
Në Izrael, asnjë parti e vetme nuk ka fituar kurrë shumicën e vendeve në parlament; ky vend ka pasur gjithmonë qeveri koalicioni.
Kjo do të thotë se kryeministër nuk është gjithmonë personi, partia e të cilit fiton më shumë vota, por personi që arrin të mbledhë së bashku parti të mjaftueshme për të kontrolluar së paku 61 nga 120 ulëset e parlamentit.
Disa sondazhe kanë sugjeruar se Netanyahu ka më shumë gjasa të formojë koalicionin, për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me partitë e tjera të djathta dhe partitë fetare.