Në Izrael rekomandohet doza e katërt e vaksinës për të gjithë të rriturit

25 janar 2022 | 13:42

Një panel ekspertësh ka këshilluar të martën Qeverinë e Izraelit që të nisë ofrimin e dozës së katërt të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.

Ky panel ka bërë këtë rekomandim duke u bazuar në të dhënat që tregojnë se doza e katërt parandalon sëmurjen e rëndë nga ky virus.

Komiteti këshillues ka thënë se të dhënat tregojnë që doza e katërt ofron tre deri në pesë herë më shumë mbrojtje kundër sëmurjes së rëndë dhe dyfish më shumë mbrojtje kundër infektimit, në krahasim me tri doza.

Ministri i Shëndetësisë duhet të miratojë këtë rekomandim, në mënyrë që të zbatohet.

Izraeli veçse është duke ofruar dozën e dytë përforcuese për secilin person mbi moshën 60-vjeçare dhe për ata që janë më të cenueshëm ndaj koronavirusit.

Ky shtet ka ofruar dozën e tretë të vaksinës për popullsinë e përgjithshme, qysh në verën e kaluar.

Të dhënat nga Ministria izrealite e Shëndetësisë kanë treguar se aktualisht në këtë shtet janë 580,000 raste aktive me koronavirus, mirëpo vetëm 845 konsiderohen të sëmurë seriozisht.

Gati gjysma e popullsisë ka pranuar dozën e tretë dhe më shumë se 600,000 kanë marrë të katërtën.

Izraeli ka raportuar 8,487 vdekje prej shpërthimit të pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuesi i…