Në “Karagaçi” përballen të pamposhturit
Nesër (e shtunë) luhet derbi i stinorit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Në kuadër të javës së shtatë kampionale, nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë përballë do të jenë Besa Famgas e Kastrioti.
Bëhet fjalë për dy skuadrat lidere, skuadrat e vetme që i kanë fituar të gjitha ndeshjet e deritashme. Për shkak të goldallimit më të mirë pas javës së gjashtë Kastrioti është në vend të parë, ndërsa Besa Famgas është e dyta. Të dy skuadrat i kanë nga 12 pikë dhe pritet të luftojnë për trofe këtë edicion së bashku me ndonjë skuadër tjetër. Te Besa e Kastrioti janë të grumbulluar shumë prej lojtarëve më të mirë të vendit dhe për këtë pritet një ndeshje shumë e fortë e, po ashtu, shumë cilësore. Pritet që edhe interesimi të jetë në nivel dhe që në palestër të jenë të pranishëm adhurues të hendbollit jo vetëm nga Peja dhe Ferizaj, por edhe nga qytete të tjera të vendit.
Besa është kampione në fuqi, ndërsa ka kaluar edhe një kundërshtar evropian këtë edicion. Kastrioti, po ashtu, ka kaluar kundërshtarë evropianë dhe më vonë këtë muaj luan sërish ndeshje evropiane. Klubi me nam ferizajas është organizuar fuqishëm për këtë edicion dhe synon ta ndërpresë dominimin e Besës. Por te Besa janë të vendosur të fitojnë trofe dhe kështu pritet një ndeshje cilësore që besohet se do të jetë reklamë e mirë për hendbollin e Kosovës në përgjithësi. Në hije të derbit të stinorit luhen edhe ndeshjet e tjera të javës së shtatë.
Të shtunën takohen: Zhegra – Samadrexha (18:00), kurse të dielën takohen Vëllaznimi – Trepça (17:00), Vushtrria – Prishtina (17:00) dhe Drenica – Drita (14:00).
/Epoka e re/