Në kërkim të finales
Katër skuadrat elitare të hendbollit në konkurrencën e meshkujve Besa dhe Kastrioti dhe në konkurrencën e femrave Istogu dhe Vushtrria sot (e mërkurë) kërkojnë kualifikimin në finale.
Pasi ka fituar bindshëm ndeshjen e parë gjysmëfinale, Besa Famgas sot (e mërkurë) mund ta sigurojë kalimin në finale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës në hendboll. Në Gjakovë nga ora 19:00 luhet ndeshja në mes të Vëllaznimit dhe Besa Famgasit. Skuadra pejane është kampione aktuale dhe e ka përfunduar Superligën A në vend të parë. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Pejë, Besa e fitoi me rezultat 39:10. I duhet edhe një fitore apo barazim për të kaluar në finale. Ndërsa skuadra e Vëllaznimit e ka mbyllur Superligën A në vend të katërt.
Sot (e mërkurë) luhet edhe gjysmëfinalja e dytë e “play-off”-it në mes të Prishtinës e Kastriotit. Kjo ndeshje luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nga ora 18:00. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Ferizaj e ka fituar Kastrioti me rezultat 28:21. Kastrioti ishte i dyti në Superligën A, ndërsa Prishtina e treta. Ndeshje e fortë e cilësore pritet të jetë në kryeqytet. Kastrioti do të mundohet që me fitore apo barazim ta sigurojë finalen, ndërsa Prishtina që ta barazojë rezultatin në 1:1 dhe ta sigurojë edhe ndeshjen e tretë që do të luhej në fundjavë në Ferizaj.
Sot (e mërkurë) zhvillohen edhe gjysmëfinalet e dyta të “play-off”-it edhe në Superligën e hendbollisteve. Nga ora 15:00 në Gjakovë takohen Shqiponja e Istogu, kurse një orë më vonë luhet takimi Prishtina-Vushtrria. Ndeshjet e para janë fituar nga Istogu e Vushtrria që me fitore apo barazime në ndeshjet e të mërkurës kalojnë në finale.
Të shtunën, Istogu në Pejë fitoi ndaj Shqiponjës me rezultat 35:26, ndërsa Vushtrria të njëjtën ditë e mposhti Prishtinën me rezultat 26:19. Kështu, në ndeshjet e dyta Istogu e Vushtrria synojnë kalimin në finale, ndërsa Shqiponja e Prishtina ta barazojnë rezultatin në 1:1 me ndeshje dhe t’i sigurojnë ndeshjet e treta e vendimtare. Në stinorin e rregullt Istogu ishte i pari, i përcjell nga Vushtrria, Prishtina e Shqiponja, që është kampione aktuale.
/Epoka e re/