NË KËRKIM TË KOKËS SIME
DAN KOSUMI
NË KËRKIM TË KOKËS SIME
Një ditë, mujshëm,
m’i thyen dyert e kullës.
Në sytë e gjyshit dhe gjyshes
pashë si u këputej shpirti…
Sa herë në këtë jetë ishin përballur me bishat,
mallkonin,
pse janë gjallë,
pse e pritën atë ditë…
Një mëngjes,
sapo kishte lindur bebja e diellit,
në sytë e babës dhe nënës,
sa e ndjeva dhimbjen.
Nga duart e tyre na nxorën e na morën një e nga një,
në rrugën pa kthim na nisën,
…s’u pamë më kurrë!
Atë ditë,
motrës iu shuan ëndrrat,
e shkretë mbeti.
Në sytë e saj pash rrëke dhimbjesh,
lotët e saj filigrane…
Asaj dite iu ngjit dhimbja
e shpresa si Sizifi,
ngjitej e zbriste,
tatëpjetë kodrinës së jetës.
…Dielli po perëndonte më herët, duke u mbledhur
në sytë e burrave duarlidhur e zemërshqyer.
Burri….
Plagët mbetur shpërndarë rrugëve të Evropës.
Erdhi a s’erdhi liria?
Po cila ish fytyra e saj?
Kush e pa?
Ne, burrat, ne të zgjidhurit e lidhur skajshëm?
Ah, Kosovë, mos ma rrëfe mëkatin tim!
S’të frymova dot të lirë, as dje, as sot…
Eshtrat më dergjen larg teje, moj e Mirë…
Varri im aty tek ti është bosh…
Pa kokën time s’kam si kthehem tek ti…
Ma morën hienat Ballkanit tim,
Koka ime-
-trofe,
turpi i këtij shekulli…
nuk prehem i qetë
do kërkoj kokën time…
E dua në Atdhe…
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)