Në kërkim të opozitës së humbur
Bedri Islami
Më në fund ditën e shtunë opozita, siç kishte paralajmëruar dy muaj radhazi, bëri protestën e saj të parë paszgjedhore në një shesh kryeqytetas. Njerëzit u thirrën skaj më skaj e qytet më qytet. Ata erdhën, shumica me autobusë shijuan një ditë të bukur në Tiranë, takuan të afërmit e tyre që janë zhvendosur në këtë qytet, dëgjuan me zë të lartë atë që kishin dëgjuar nga çdo studio televizive dhe, pasi i thanë njëri-tjetrit “mirë u pafshim”, shkuan secili në qytetin e tij.
Kaq ishte e gjithë zhurma 50 ditore për heqjen qafe të qeverisë Rama dhe këtë të fundit për tërheqjen zvarrë. Metingashët e zellshëm kishin pritur çastin kur nga vendi i folësve do të jepet sinjali i përmbysjes qeveritare. Disa e kishin marrë seriozisht se vërtet do të ndodhte diçka shumë e madhe, por të tjerë më të mençur e kishin ditur që më parë se zaret po hidheshin jo për ta përmbysur qeverinë, por për ta mbytur drejtësinë.
Sidoqoftë, ajo që dihej se do të ndodhte edhe nga vetë liderët opozitarë, ndodhi. Pas 27 janarit qeveria nuk do të jetë më e dobët. Përkundrazi, ajo do të marrë frymë më lirisht. Çfarë nuk mund të bënte vetë qeveria për ringjalljen e një besimi ndaj saj, ia dhuroi opozita më 27 janar. Ia dhuroi marrëzisht, me shpresën se do të kishte ndryshuar diçka në të mirë të saj, kur në të vërtetë tani nuk kemi më një qeveri që do të shembet, por kemi një opozitë të humbur.
Misioni më i vështirë është të gjesh se ku është opozita, e pastaj të mund të përcaktosh se kush është opozitë.
Nga 6 folësit kryesorë në bulevardin e madh, katër prej tyre përfaqësonin forca politike, disa krejt minore, që kishin qenë në qeveri socialiste ose vetë shefat e tyre kishin qenë drejtues dikasteresh. Nard Noka, Agron Duka kanë qenë ministra të qeverive socialiste, kryemadhi dhe “nacionalisti” i fortë Dule kanë qenë pjesë e koalicioneve socialiste.
Shpallja e tyre si opozitarë pasi kanë rënë nga kali i pushtetit nuk është opozita e një mendimi ndryshe, apo që kërkon diçka të re; ishte vetëm zemërimi i disa njerëzve që kanë rënë nga pushteti dhe që po t’i ftojë pushteti përsëri nga opozitarë kthehen përsëri në qeverisës. Pra, shfaqja e parë e humbjes së opozitës ishte pikërisht kjo: të mbeturit jashtë qeverisë kërkojnë përsëri të jenë në qeveri. Si forca politike dhe si individë. Nard Ndoka ëndërron të jetë përsëri ministër i Shëndetësisë, kulmi i ironinë politike dhe Duka, të jetë përsëri ministër i Bujqësisë.
Media dhe Basha janë po ashtu një opozitë e humbur. I pari nuk di as ku e ka partinë e tij dhe i gjithë synimi i mbajtjes së saj është vetëm ëndrra e rikthimit në pushtet, ëndërr të cilën nuk ia hoqi as Gërdeci, as shoqërimi me figura të kriminalizuara, as gjyqi i munguar dhe i kaluar përmes mandatit të dhuruar.
Basha është edhe ai opozitari i humbur, por në të njëjtën kohë biznesmeni i fituar, megjithëse de fakto nuk ka asnjë biznes të shpallur. Mendimin opozitar, ai, që prej ditës së parë, kur vajza e Berishës e delegoi në partinë e babait të tij, pasi kishin marrë bekimin e Fazlliqit e jo vetëm të tij, pasi kthimi në Shqipëri mund të ishte mbulesa më e mirë ndaj asaj që kishte ndodhur në Kosovë, politikën e mendoi, e konceptoi dhe e realizoi si biznes financiar. Ai do të jetë ndër të paktët që ka realizuar një thënie të hershme të epokës komuniste se “politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”.
Përse u mblodhën njerëzit në shesh dhe kush i thirri ata?
Në të vërtetë, skenari i protestës kishte qenë krejt ndryshe. Ai do të fillonte si një shfaqje e qetë politike për t’u kthyer në një shesh dhune i ngjashëm me atë të 14 shtatorit 1998. Nuk do të kishte tanke apo bashibozukë të Bukoshit që pasi braktisën frontin në Dukagjin erdhën të përmbysnin Shqipërinë.
Demonstrata ishte parashikuar të përmbyste në pak orë gjithë atë që është ndërtuar në shumë vite dhe të kthente edhe një herë vendin në vitin 1997.
Media që në të vërtetë janë më opozitare në propagandën e tyre se sa vetë opozita, apo të tjera që ditët e fundit kanë ngritur tonin, ose se besonin se qeveria do të përmbysej, ose se duan një haraç të ri në formën e lejeve të ndërtimit, u përpoqën të ngrinin me forcë, me shumë imagjinatë dhe letra të vjetra, se në Shqipëri kishte ndodhur një piramidë më e fuqishme financiare, shkatërruese, që dërrmonte shtetin, si një sinjal se pas kësaj shteti qeveria e tij, duhej përmbysej.
Rikthimi i idesë së piramidës financiare, ndërtuar bashkërisht me thirrjen për tërheqjen zvarrë të shefit të qeverisë do të kishin finalen e tyre në dërrmimin e një ëndrre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe për të mbyllur disa nga plagët që janë hapur nga vetë ata.
Opozita e cila më 27 janar vetëm opozitë nuk ishte, por vetëm një grumbullim njerëzish të inatosur të mbetur jashtë qeverisë, mendoi se krijimi i një fryme agresive, rrënuese dhe pushtuese, mund të ishte gjetja më e mirë për të grumbulluar njerëz që protestojnë, me shpresën se, e shumta, ditën e hënë do të jenë në vende të reja pune.
Nëse kjo nuk ndodhi si ishte menduar e po bëhej gati të shpërthente, ka të ngjarë që alarmoi struktura të sigurisë jashtë Shqipërisë dhe prej tyre erdhi edhe paralajmërimi më serioz i bërë ndonjë herë: mos guxoni të thyeni asnjë lule e prekni asnjë varëse rrobash, pasi dënimi do të jetë për ju.
Kjo bëri që pikërisht ata që disa më parë bënin thirrje për tërheqje zvarrë e pushtim institucionesh, në fundin e mitingut të bënin thirrje që me qetësi e dashuri të kthehen në shtëpitë e tyre.
I planifikuar për katër orë, nga të cilat më të shumtat do të ishin përleshje, e gjitha përfundoi në atë kohë që mendohej të ishte parathënia e një proteste, “dashuria e qetësia”.
Të besosh se ke opozitë dhe të dëgjosh Nard Ndokën; të mendosh se je një me opozitën dhe të besosh Fatmir Mediun; të ëndërrosh që këtyre njerëzve u qan zemra për kombin shqiptar dhe të shikosh se si po bën thirrje Vangjel Dule; të dëgjosh Bashën ndërsa flet për korrupsionin dhe të harrosh rrugën e Kombit, të jesh pranë Kryemadhit ndërsa flet për qetësi e dashuri dhe të mos të të kujtohet çizmja apo thirrjet delirante; të besosh se pas Agron Dukës apo Dashamir Shehut qëndrojnë vërtet forcat opozitare, do të thotë të mos dish se çfarë ndodh në këtë vend, për më tepër, se çfarë ka ndodhur kur po këto, të protestës, kanë qeverisur.
Opozita ka ikur në drejtim të paditur. Kërkohet një opozitë.
Demokracia ka shumë alternativa, por asnjëra nuk është rruga e kësaj opozite.