Në këto zgjedhje jemi pa Jakupin, vëllanë tim, kërkoj votën tuaj
Abdyl Krasniqi, vëllai i Jakup Krasniqit, në zgjedhjet e 14 shkurtit është pjesë e listës së Nismës Socialdemokrate për deputet.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është i nderuar që është pjesë e listës së Nismës.
Krasniqi ka thënë se kjo listë është listë e kauzës në mbrojtje të vlerave tona kombëtare, e cila është alfa dhe omega e shtetit dhe të ardhmes së sigurt.
“Në këto zgjedhje jemi pa Jakupin, vëllanë tim, por jemi me vizionin dhe idealin e tij në çdo hap.
Nisma, me theks të veçantë kryetari, sekretari dhe kryesia e nderuar, më kanë nderuar duke më vendosur numër 2 në listë, jo për të zëvendësuar Jakupin, asnjëherë, por si respekt ndaj punës së tij dhe vazhdimit të misionit fisnik që e ka udhëhequr gjatë gjithë jetës së tij, të qenurit në shërbim të vendit dhe qytetarëve në çdo kohë dhe rrethanë”, ka shkruar Krasniqi.
“Prandaj, ne bëjmë thirrje të mbështetni ata që janë dëshmuar dhe që i doni dhe ju duan më së shumti, përtej emocionit momental dhe të jemi atje ku na mundësohet të jemi në shërbimin tuaj, në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Avdyl Krasniqi.