Në Klinë shënohet dita e të pagjeturve

04 prill 2019 | 14:09

“Një popull që harron njerëzit e vet të martirizuar, është i dënuar t’i përsëritet historia, prandaj sot e përgjithmonë, do t’i kujtojmë ata që u flijuan për këtë tokë. Liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre”,  ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në akademinë përkujtimore në Ditën e të Zhdukurve të komunës së Klinës.

Fillimisht kryeministri Haradinaj, është pritur nga kryetari i komunës, Zenun Elezaj dhe ka bërë homazhe te lapidari i martirëve, ku janë të shënuar emrat e të pagjeturve të kësaj komune.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj ka thënë se Klina në luftë ka humbur shumë njerëz dhe secili prej tyre është një plagë e hapur në zemrat e familjarëve dhe dëshmi që përshkruan rrugën e vështirë që kaluam deri në liri.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, që udhëheqësit dhe ekzekutorët të sillen para drejtësisë, që të ndriçohet fati i të pagjeturve të luftës dhe që shteti të kujdeset në mënyrë institucionale për familjet e martirëve dhe të pagjeturve duke rregulluar statusin e tyre me ligj.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se shënimi i ditës së të pagjeturve për komunën e Klinës, është plagë e cila vazhdon të rëndojë në shpirtrat dhe mendjet e tyre si një prej dhembjeve më të thella që la lufta dhe gjenocidi serb në këtë komunë në periudhën e luftës së fundit.

Një fjalë para të pranishmëve në emër të familjarëve të dëshmorëve, e mbajti Nexhmije Gashi.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kalidoi Koulibaly është futbollisti që ka më shumë merkato në…