Në Klinikën e Syve në QKUK, u krye operacioni i parë nga kirurgjia vitreoretinale
Në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë janë kryer operacione- intervenimet e para në sy nga kirurgjia vitreoretinale.
Operacionet janë kryer nga dr. Xhevat Lumi, kirurg vitreoretinale, i cili punon dhe vepron në Lubjanë të Sllovenisë. Kirurgu Lumi është asistuar nga specialistët e Klinikës së Syve.
Pas intervenimit të parë tek pacientja SH. P (1954) në Klinikën e Syve, dr. Lumi, shkurtimisht tha se ndërhyrja është kryer me sukses, pacienti nuk ka pasur komplikime dhe beson se nuk do të ketë as në të ardhmen komplikime.
Ndërkaq, dr. Florim Zejnullahu, drejtor i Klinikës së Syve në QKUK, tha se ky është operacioni i parë dhe është historik për klinikën. Ai falënderon doktorin nga Sllovenia. Sipas tij, ky është një sukses i madh i shëndetësisë në Kosovë. Dr. Zejnullahu tha se planifikohet të kemi bashkëpunim me të gjatë me doktorin dhe të bëhet edhe trajnimi i stafit që është i gatshëm për sfidat e radhës.