Në Klinikën e Urologjisë kryhen mbi 400 operacione për gjashtë muaj
Në Klinikën e Urologjisë janë kryer mbi 400 operacione gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Drejtori i Klinikës së Urologjisë, Sabit Mehmeti, ka thënë se në dy salla operative kryhen ndërhyrje kirurgjike, duke filluar prej intervenime të vogla e deri te ato më të ndërlikuara dhe më sfiduese.
“Duke marrë parasysh gamën e gjerë të operimeve të kryera me sukses te lartë, nevoja për dërgim të pacientëve jashtë vendit është relativisht e vogël. E gjithë kjo punë arrihet me ndihmën e pamohueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me Klinikën e Anesteziologjisë”, ka thënë Mehmeti.
Sipas raportit gjashtëmujor të punës, urologët kanë trajtuar me ESËL (aparaturë për thyerjen e gurëve në veshkë dhe ureter) 330 pacientë.
Brenda kësaj kohe, janë bërë më shumë se 600 ekzaminime endoskopike, 50 ekzaminime urodinamike, 30 aplikime të nefrostomave dhe 100 biopsi të prostatës.
Mehmeti, më tutje, thotë se hapja e qendrës së re ambulantore i ka dhënë mundësinë mjekëve të pranojnë numër më të madh të pacientëve.
“Me këto kushte të ofruara janë shumë të kënaqur, si pacientët, të cilët përgëzojnë dhe falënderojnë çdo ditë për shërbimet e ofruara, e po ashtu edhe personeli mjekësor”, ka pohuar drejtori i Klinikës së Urologjisë.
Mjekët specialistë i janë përgjigjur kërkesës së 3 523 pacientëve për kontrolle mjekësore në ambulancat specialistike, 500 raste më shumë në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
/Epoka e re/