Në kohë pandemie, rritet numri i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se gjatë pjesën e katërt të 2020-s, janë regjistruar 2.869 ndërmarrje, duke paraqitur rritje prej 10.6 për qind, krahasuar me periudhën e vitit 2019.
Kjo është bërë e ditur në raportin e publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt 2020.
ASK-ja njofton se aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 728 ndërmarrje të regjistruara (25.4 për qind), prodhimi me 354 ndërmarrje të regjistruara (12.3 për qind), aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 286 ndërmarrje të regjistruara (10 për qind), etj. “Ndërsa, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1.141 ndërmarrje të regjistruara (96.7 për qind), në kategorinë me 5-9 të punësuar 63 (2.2 për qind), në kategorinë me 10-19 të punësuar 21 (0.7 për qind), në kategorinë me 20-249 të punësuar 11 ndërmarrje të regjistruara (0.4 për qind), ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori. Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, mbizotëron Prishtina me 897 ndërmarrje (31.3 për qind), Ferizaj 254 (8.9 për qind), Prizreni 200 (7 për qind), Gjilani 161 (5.6 për qind), Peja 132 (4.6 për qind), dhe Fushë Kosova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.4 për qind). Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, është thënë në raportin e ASK-së.