Në Köln, në shenjë nderimi për 25-vjetorin e Betejës së Kosharës, u shfaq filmi dokumentar “Shtigjet e Luftës” nga autori Asllan Bajrami
Në Köln të Gjermanisë, në shenjë nderimi për 25-vjetorin e Betejës së Kosharës, u shfaq filmi dokumentar “Shtigjet e Luftës” nga autori Asllan Bajrami.
Salla ishte e vogël për t’i pritur të gjithë ushtarët, veteranët, eprorët, familjarët e dëshmorëve dhe veprimtarët që kishin ardhur për ta parë filmin dokumentar “Shtigjet e Luftës” nga autori Asllan Bajrami.
Duartrokitjet nuk kishin të ndalur sapo hyri në sallë Gjeneral Kudisi Lama. Moderatori, me profesionalizëm, hapi dhe udhëhoqi programin. Pasi përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët në sallë, në shenjë nderimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, kërkoi një minutë heshtje.
Gjeneral Kudisi Lama, në fjalimin e tij emocionues që u ndërpre shpesh nga duartrokitjet e të pranishmëve, ndër të tjera tha:
“Serbia çdo betejë me shqiptarët e ka humbur. Tokat shqiptare që i ka mbajtur të pushtuara i ka pasur peshqeshe nga Konferenca e Londrës. Beteja e Koshares i dha goditje të madhe Serbisë duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe makineri ushtarake, duke e bërë të pavlefshëm kufirin që ndante padrejtësisht kombin shqiptar. Shumë dëshmorë ranë në altarin e lirisë, por ka luftëtarë që vdekja nuk i mori për të na treguar heroizmin dhe lavdinë e çdo luftëtari që me heroizëm luftoi për lirinë e popullit të vet.
Këta burra që na kanë mbledhur sot, para 25 vitesh, një pjesë e tyre kanë qenë pjesë e betejës së Koshares në njësitin Pitbull, që kanë marrë pjesë në operacionin e planifikuar dhe udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që u realizua me sukses dhe i tregoi botës se UÇK-ja ka trimëri, heroizëm, disiplinë dhe është e gatshme të luftojë deri në ushtarin e fundit për liri.”
Z. Imer Lladrovci, ish-shef i Konsullatës në Stuttgart dhe Vjenë të Austrisë, pasi falënderoi organizatorët, tha se përulemi me respekt para gjithë heronjve të UÇK-së, por shpreh edhe indinjatën dhe pakënaqësinë time të thellë për padrejtësitë që po ju bëhen ish-themeluesve dhe drejtuesve të UÇK-së, ish-shtetformuesve të Republikës së Kosovës që sot padrejtësisht po mbahen në Hagë dhe pa padrejtësisht nuk kan mbështetje nga ky Kryeministër dhe kjo Qeveri e RKS, që ata punuan fort që Kosova të jetë e lirë dhe të ketë agjendë evropiane. Gjithashtu, z. Lladrovci tha se ky film dokumentar i gazetarit, atdhetarit të palodhur Asllan Bajrami, paraqet vetëm një pjesë heroike të kombit shqiptar. Paraqet heroizmin dhe luftën heroike të Njësitit Pitbull, që larguan gurin e kufirit dhe ushtrinë gjakatare serbe që kontrollonte atë kufi.
Dan Llapi, alias Ramadan Ibrahimi, ish-ushtar i UÇK-së, njëherësh protagonist i filmit dhe organizator i tubimit, i emocionuar por krenar për luftën heroike bashkë me shokët e njësitit Pitbull dhe gjithë ushtarët e UÇK-së, para të pranishmëve shtoi: “Unë, bashkë me shokët e mi, jemi krenarë që ecëm rrugëve të Adem Jasharit, Luan Haradinajt, Zahir Pajazitit, Fehmi dhe Xheve Lladrovcit, Agim Ramadanit, Sali Çekut etj.” Ai gjithashtu falënderoi Gjeneral Kudisi Lamen për gjithë mbështetjen e tij që i ka dhënë luftës sonë heroike dhe për kujdesin që po tregon edhe sot ndaj ushtarëve dhe heronjve të UÇK-së.
Në shenjë respekti për mbështetjen dhe përkrahjen e UÇK-së, në emër të njësitit Pitbull, Ramadan Ibrahimi ndau Mirënjohje për Gjeneral Kudisi Lamen, familjën e Fehmi dhe Xheve Lladrovcit, familjen Bedri Ahmeti si dhe për disa ushtarë të UÇK-së që ishin të pranishëm në këtë tubim.
Në këtë tubim me fjalë përshëndetëse u paraqitën: Muharrem Xhemaili, Ismai Selmani, Nuhi Tahiri, Nexhmi Muçiqi, Nexhmi Ahmeti dhe Vëllaznim Maqestena, të cilët me modestinë para të pranishmëve thanë se “ne kemi dhënë diçka të vogël për çështjen e madhe kombëtare”.
Në fund të programit, Avdullah Bjarimi këndojë këng të Dervish Shaqës ndërsa me disa valle nga trojet shqiptare performuan nxënësit e grupit “Shqiponjat e Mërgatës” të shkollës shqipe Bonn-Rhein-Sieg-Kreis.
Pas shfaqjes së filmit dokumentar, autori i filmit, z. Asllan Bajrami, i dha origjinalin e filmit Dan Llapit, duke e falënderuar për kontributin dhe gjithë angazhimin e tij për filmin dhe tubimin madhështor. Edhe z. Asllan Bajrami mori mirënjohje nga organizatori.