Në Komisionin për Ekonomi diskutohet për raportin vjetor të ARKEP-it
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e Jeta Statovcit, nënkryetare, mbajti mbledhjen e radhës, me pikat e parapara për këtë rend dite.
Në këtë mbledhje, të pranishëm për të diskutuar rreth raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare – ARKEP, për vitin 2023 dhe për të dhënë sqarime më të detajuara, ishin përfaqësuesit e këtij institucioni.
Tutje, sa i përket aktiviteteve të realizuara, siç u tha në mbledhje, ndahen në dy kategori: aktivitetet kryesore, siç janë dhënia e resurseve në shfrytëzim për 20 vite për Telekomin e Kosovës dhe për Ipko Telekomunication, fuqizimi i mëtutjeshëm i të drejtave të konsumatorëve, duke i obliguar kompanitë për rritje të transparencës drejt konsumatorëve, hartimi i dokumenteve të nevojshme për procesin e varshmërisë së numrave etj.
Ndërkaq, sa i përket aktiviteteve ditore, përfaqësuesit e ARKEP-it theksuan nënshkrimin e disa marrëveshjeve të reja për bashkëpunim me shtetet fqinje, siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali e Zi.
Më pas, anëtarët e komisionit parashtruan pyetjet për përfaqësuesit e ARKEP-it, për të cilat u diskutua gjatë.