Në Komoran nis ndërtimi i stadiumit sintetik
Komunës së Drenasit i shtohet edhe një terren sportiv sintetik. Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, zëvendësministri Halil Matoshi dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë vënë gurthemelin e stadiumit sintetik në Komoran, projekt kapital që tejkalon shumën prej gjysmë milioni euro dhe që pritet të përfundojë brenda dy vjetëve
Ministrja Dumoshi ka treguar se bashkë me kryetarin Lladrovci kanë bërë homazhe te shtatorja e Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, për të vazhduar te stadiumi “Rexhep Rexhepi” i cili është financuar nga MKRS-ja. Dumoshi ka thënë se kanë biseduar për projektet që janë në realizim dhe ato që kanë qenë në plan të realizohen në të ardhmen, por për shkak të shkurtimeve buxhetore si pasojë e pandemisë, projektet që do të realizohen janë vetëm ato që kanë vazhdimësi, ndërsa projektet e reja do të shtyhen për një kohë.
“Në Drenas e kudo në Kosovë, ka përmirësim të dukshëm të infrastrukturës sportive dhe kulturore dhe kjo na gëzon si ministri, meqenëse ky është synimi i të gjitha investimeve”, ka thënë ministrja Dumoshi.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar ministren dhe MKRS-në për përkushtimin dhe përkrahjen për projektet që janë në dobi të qytetarëve të Komunës së Drenasit. Ai ka thënë se MKRS-ja dhe komuna kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.
(Epoka e re)