Në kompleksin e Isë Adem Boletinit në Boletin

28 dhjetor 2020 | 23:19

Një javë rresht, që nga lindja e diellit e deri në perëndim të tij, me punonjës institutesh dhe studiues të trashëgimisë kulturore shtegtuam nëpër të gjitha rajonet e Kosovës në muajin tetor. Bëmë shumë kilometra rrugëtim rreth e qark Kosovës dhe vizituam objekte të vjetra, nën përkujdesje të institucioneve dhe pa përkujdesje të askujt. Vizituam kala, kisha, xhami, muze, sinagogë, varre, tyrbe, shtëpi qindvjeçare, kulla, hambarë, mullinj, shpella e çfarë jo tjetër të vjetër, të rrallë dhe gati të harruar. Në disa objekte që vizituam takuam njerëz, në disa kafshë, në disa shpezë, në disa të tjera zvarranikë. Shkrepëm edhe shumë fotografi dhe mbajtëm shumë shënime. Sa po bënim plan ta përfundimin ekskursionin kulturor për vitin 2020, dikujt prej grupit i ra ndërmend dhe propozoi që sivjet ta vizitojmë edhe kullën e Isë Boletinit në fshatin Boletin të Komunës së Zveçanit, e ndërtuar në fund të shekullit XIX nga duart e njeriut, e përshtatur për banim të banorëve dhe për mbrojtje nga armiqtë.

Fshatin Boletin dhe kullën e Isës i gjetëm lehtë. Sapo u afruam te dyert e mëdha prej druri thirrëm të zotin e shtëpisë. Pritëm pak çaste. Nuk vinte asnjë zë as brenda oborrit, as jashtë oborrit s’na gjegjej kush. Pritëm edhe pak çaste dhe, kur na u sos durimi, për ta shuar kureshtjen për kullën, kapërcyem muret e oborrit dhe u futëm brenda tij me leje të Isë Boletinit! Skaj një lisi qindravjeçar, dy varre, të punuara mirë, me mermer të bardhë. Njëri i Isë Adem Boletinit (1864-1916), tjetri i Halil Isa Boletinit (1892-1916), i Zait Isa Boletinit (1898-1916), i Jonuz Ahmet Boletinit (1890-1916), i Halit Ahmet Boletinit (1892-1916), i Hajdar Selim Radishevës (1886-1916), i Idriz Bislim Radishevës (1898-1916), i Misin Nimon Balajt (1890-1916), të gjithë të vrarë më 1916.

Isë Boletini, i biri i Ademit dhe Ajshes, lindi gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, më 15 janar të vitit 1864, në këto kulla pranë qytetit të Mitrovicës, të cilat u bënë simbol i traditës patriotike dhe qëndresës shekullore. Familja e tij, e përmendur atëkohë për burrëri, drejtësi dhe trimëri, i takonte vëllazërisë Maksutaj të fisit të Shalës, e zhvendosur nga Isniqi i Deçanit në Boletin.

Për të bërat dhe të bëmat atdhetare dhe historike të Isë Boletinit dhe të familjes së tij, edhe për gjendjen e mirë materiale të tij, na tregojnë dy historianë që kanë ardhur me ne për vizitë. Isa ka qenë njeri i zoti, trim, i mençur dhe i pasur. Ka pasur fabrikë të gurit të mullirit. Ja, shikojeni atë kodër. Atje e ka pasur punishten. Vështrojmë në një horizont të largët, në vijë ajrore dhjetë kilometra. Një pjesë e bjeshkës, aty ku mendohet se ka qenë punëtoria e gurëve, duket si e grithur. Të gjithë punën me dorë e kanë bërë. Më tutje, na na tregojnë historianët, se ky kompleks gjatë luftërave u shkatërrua tri herë gjatë viteve 1830-1832, 1892, 1895, si dhe dy herë gjatë dekadës së parë të shek. XX, përkatësisht më 1908 dhe 1912. Por, as koha e as gjylet e topit nuk kanë bërë rrafsh me tokë kullën e Isës, absolutisht odën e grave. Ajo ende është aty, e fortë, me përplot histori, me përplot dëshmi të sakrificës dhe eshtra njerëzish të rënë në fushëbeteja. Për kullën e Isës janë përkujdesur institucionet qendrore. Meremetuesit, edhe mbrojtësit e trashëgimisë kulturore, pas renovimeve që kanë bërë operatorët ekonomikë me lidhjen e kontratave me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, kanë ruajtur në vija të trasha dukjen e kullës qysh me rastin e ndërtimit të saj para qindra vjetësh. Por, kanë lënë pa kryer disa punë të vrazhda në oborr, në odën e burrave, që duken se janë bërë shkel e shko për shkak të betonimit të mureve. Ana perëndimore e kompleksit është e rrethuar me mure mbrojtëse, me një terren të pjerrët, ndërsa pjesa lindore pa mur mbrojtës ishte e përshtatshme për vrojtim. Oborri i kullave është i rrethuar me mur, i punuar nga gurët e gdhendur, të cilët kanë disa frëngji me pamje nga të katër anët e kullës si dhe një oxhak.

Kompleksi i kullave të Isa Boletinit është restauruar në vitin 2005, por edhe më pas. Teksa shikon pamjet e kompleksit që gjenden brenda në kullë, njeriu vëren se gjatë restaurimit është ruajtur origjinaliteti i kullës. Brenda kompleksit, përskaj varrit të Isës, ka gjurmë të vrimës të gjyleve të topave gjatë luftërave që janë bërë në Boletin. Në kompleks është edhe kulla e burrave dhe e grave. Kulla e burrave është djegur gjashtë herë dhe nga gërmadhat e saj mund të shihet se çfarë lufte është bërë aty. Për fat të mirë ka mbetur e fortë kulla e grave e cila është ndërtuar para vitit 1912 me gurët e punishtes së Isës. Brenda saj arkitektët kanë bërë disa ndryshime që patjetër janë dashur të bëhen, pasi ka qenë në gjendje shumë të rëndë para fillimit të punimeve. Kjo kullë ka shërbyer si shkollë fillore nga viti 1946 deri në vitin 1970, për arsye se pasardhësit e Isës regjimi komunist i ka larguar nga fshati. Ajo ishte një ndër shkollat e para shqipe në territorin e Mitrovicës. Më vonë në të Isa i shkollon edhe fëmijët e vet, nëntë djemtë dhe pesë vajzat. Atë, ndërkohë, e mbyll regjimi komunist dhe bën përpjekje ta shkatërrojë trashëgiminë materiale të familjes Boletini. Megjithatë, fal kujdesit të familjarëve të tij, kanë mbetur shumë shenja që të kujtohet Isë Boletini dhe pasardhësit e tij, si: dokumente, fotografi, flamuri kombëtar, xhamadani i Isës i shpuar nga plumbi dhe këmisha e tij. Ka mbetur edhe çezma e nënës Ajshe, pak metra me poshtë kullës, e cila rrjedh ujë të pijshëm.

     

 

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë. Fusnotat i hoqi redaksia)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur është fjala për një femër të guximshme, askush nuk…