Në komunat që qeverisim, AAK-ja do të dalë e para
Shefi i Shtabit Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, beson se kjo partitë më 14 shkurt do të marrë rezultat të mirë.
Ai ka thënë se në këtë fushatë zgjedhore AAK-ja ka arritur të mobilizojë edhe elektorat të ri.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, nënkryetari i AAK-së ka treguar se kjo parti do të fitojë në komunat që është duke qeverisur.
“Në shtatë komunat ku Aleanca udhëheq do të ketë votë fituese, por janë edhe disa komuna të tjera ku AAK mund të dalë më e votuara. Me një fjalë, fushata ka rezultuar mirë e organizuar dhe që ka arritur ta mobilizojë jo vetëm elektoratin tradicional të AAK-së, por edhe njerëz të ri që nuk kanë qenë pjesë e jona më parë”, ka thënë ai.
Nitaj nuk ka përmendur përqindje, por ka thënë se rezultati do të jetë më i mirë që ka marrë ndonjëherë kjo parti. “Edhe pse në kohë fushate, nuk po përmend as shifra e as përqindje. Mjafton të them se besoj në rezultatin më të mirë që Aleanca e ka pasur ndonjëherë!”, është shprehur Nitaj.
Ai ka hedhur poshtë rezultatet e sondazheve të publikuara deri më tani, duke thënë se kanë qenë të porositura. “E kanë krijuar një kaos sondazhet. Ato janë të domosdoshme në kohë fushatash, por jo këso çfarë janë bërë këtë herë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë qenë me rezultat të porositur dhe kjo është shqetësuese. Aleanca nuk i ka marrë seriozisht! Për fat të keq, kësaj radhe nuk na ka ngelur fije besimi në to!”, është shprehur ai.
Ndër të tjera, në këtë intervistë ai ka treguar edhe arsyet pse duhet të votohet kjo parti më 14 shkurt. “Ka plot arsye pse qytetarët duhet ta votojnë AAK-në, por unë po i numëroj vetëm disa, sepse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është garanci e mbrojtjes së Kosovës së 17 shkurtit, e kufijve të jashtëm të shtetit. Sepse falë Aleancës dhe liderit të saj Ramush Haradinaj, por edhe mbështetjes së ShBA-së, Kosova sot është me ushtri”, është shprehur Nitaj.
“Epoka e re”: Z. Nitaj, si po ju ecën fushata zgjedhore? Sa keni arritur ta mobilizoni elektoratin e AAK-së për këto zgjedhje?
Nitaj: AAK-ja është ndër partitë më të strukturuara në Kosovë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme në terren dhe ka pasur një mobilizim të dukshëm, megjithëse kohë e vështirë pandemie. Ne jemi të kënaqur sepse qytetarët kanë ardhur dhe na kanë dëgjuar. Na kanë dhënë mbështetje për idetë dhe programin e shpalosur. E kemi vërejtur një mobilizim edhe në mjediset kur nuk kemi qenë aq të fortë në fushatat e mëparshme. Në shtatë komunat ku Aleanca udhëheq do të ketë votë fituese, por janë edhe disa komuna të tjera ku AAK-ja mund të dalë më e votuara. Me një fjalë, fushata ka rezultuar mirë e organizuar dhe që ka arritur ta mobilizojë jo vetëm elektoratin tradicional të AAK-së, por edhe njerëz të ri që nuk kanë qenë pjesë e jona më parë.
“Epoka e re”: Ndryshe nga partitë e tjera, z. Haradinaj dhe zyrtarët e kësaj partie nuk po përdorin gjuhë kritike ndaj subjekteve të tjera politike. Pse po ndodh kjo?
Nitaj: Aleanca gjithmonë ka qenë e kujdesshme në diskursin e vet publik në kohë fushate. Ajo nuk e ka përdorur fushatën negativiste. Këtë herë ka qenë edhe më e kujdesshme. Po nuk është se edhe partitë e tjera nuk i kanë kontribuuar një fushate “fer”, sado që ka pasur disa ngacmime të vogla.
“Epoka e re”: Sondazhet e publikuara deri më tani nuk po e nxjerrin mirë AAK-në. Sa u besoni këtyre sondazheve?
Nitaj: E kanë krijuar një kaos sondazhet. Ato janë të domosdoshme në kohë fushatash, por jo këso çfarë janë bërë këtë herë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë qenë me rezultat të porositur dhe kjo është shqetësuese. Aleanca nuk i ka marrë seriozisht. Për fat të keq, kësaj radhe nuk na ka ngelur fije besimi në to.
“Epoka e re”: Pse qytetarët duhet ta votojnë AAK-në në zgjedhjet e 14 shkurtit?
Nitaj: Ka plot arsye pse qytetarët duhet ta votojnë AAK-në, por unë pi i numëroj vetëm disa, sepse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është garant i mbrojtjes së Kosovës së 17 Shkurtit, i kufijve të jashtëm të shtetit. Sepse falë Aleancës dhe liderit të saj Ramush Haradinaj, por dhe mbështetjes së ShBA-së, Kosova sot është me ushtri. Sepse vetëm këmbëngulësia e Aleancës dhe e kryeministrit Haradinaj, e ka mënjanuar rrezikun real të copëtimit të Kosovës dhe ndryshimit të kufijve te saj. Sepse Aleanca e Kosovës me Ramush Haradinajn në krye, e ka realizuar pavarësinë energjetike të vendit dhe ia ka rikthyer Kosovës tapitë mbi Trepçën. Sepse Aleanca për anëtarësinë e vet, sado qoftë në përqindje, por edhe për të tjerë qytetarë që mund të kenë përkatësi të ndryshme apo që janë pa parti, do të vazhdojë të jetë garanci e ekzistencës së shtetit të Kosovës, integritetit e sovranitetit të tij, por edhe jetesës me dinjitet të qytetarëve, pavarësisht çfarë etnie apo partie kanë. Sepse AAK-ja sot është një parti e profilizuar e me njerëz të përgatitur e të zotë për të marrë përgjegjësi qeverisëse e drejtuese në të gjitha nivelet. Sepse Aleanca, me kandidatin e saj për president, Ramush Haradinaj, një njeri të dëshmuar në të gjitha etapat, të luftës e të shtetndërtimit, të vendosur e të pakompromis për interesin e vendit, do të jetë garanti më i mirë i ruajtjes, mbrojtjes dhe zhvillimit të shtetit. Ka edhe shumë sepse të tjera që shpresoj t’i kemi shpalosur në fushatën që përmbyllët sot!
“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje? Me çfarë përqindje besoni se do të dalë kjo parti në këto zgjedhje?
Nitaj: Edhe pse në kohë fushate, nuk po përmend as shifra e as përqindje. Mjafton të them se besoj në rezultatin më të mirë që Aleanca e ka pasur ndonjëherë.
(Muhamet Koci)