
Në Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork hapet ekspozita “E kuqja shqiptare”
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, ka bërë me dije se mbrëmë në ambientet e kësaj konsullate është hapur ekspozita “E kuqja shqiptare”.
“Mbrëmë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, me ambasadoren e Shqipërisë në OKB Suela Janina, është hapur ekspozita “E kuqja shqiptare”. Ky event i diplomacisë kulturore u bashkëorganizua nga Lidhja Shqiptare Evropiane, Instituti i Kosovës për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Oda Ekonomike Shqiptare”, ka shkruar Reka në “Facebook”.
Ai ka thënë se pikturat dhe skulpturat e ekspozuara nën përkujdesjen e kuratores Melita Cekani, rrëfejnë për rrënjët evropiane dhe kontributin shqiptar për civilizimin perëndimor.
“Inva Mula, Elsa Lila, Fadil Berisha e shumë artistë shqiptare dhe veprimtarë shqiptaro-amerikan e madhëruan eventin e mbrëmshëm”, ka njoftuar Reka.